Malishevë: Komuna organizon koncert tallava për ditën e çlirimit

Tash kur kanë mbetur edhe pak ditë nga manifestimi i 19 vjetorit të ditës së çlirimit të Malishevës, komuna, gjegjësisht Drejtoria për kulturë rini dhe sport në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e kësaj ngjarje të rëndësishme ka paraparë të organizoj koncert me këngëtarë të muzikës tallava. Madje ky program i paraparë është bërë i ditur nga qytetarët të cilët nëpërmjet rrjeteve sociale kanë shpërndarë njoftimin për ngjarjen muzikore që do të zhvillohet atë ditë në “Sheshin e Dëshmorëve” në Malishevë.

Dita e Çlirimit të Malishevës që shënohet me 16 qershor, është njëra nga manifestimet me të rëndësishme për komunën tonë, andaj shënimi i një ngjarje kaq të rëndësishme me këngë dhe muzikë tallava përveçse tregon trendin e degradimit kulturor që po ndodh në mesin tonë, mbi të gjitha tregon edhe mos respektim të dinjitetshëm ndaj kësaj dite që përkon me ditën e dëshmorëve dhe të rënëve tjerë që sakrifikuan për çlirimin e vendit.

Manifestimi i ngjarjeve si dita e çlirimit do duhej të ishte në fokusin kryesor të organizimit dhe përgatitjes nga qeverisja komunale, secili aktivitet që parashihet në këtë ngjarje do duhej të kishte vlerat e mirëfillta kulturore, kombëtare, kjo do të ishte fare e lehtë nëse do të ekzistonte vullneti i pushtetit lokal në Malishevë nga se ka mjaftueshëm këngëtar me vlera të mirëfillta artistike dhe kulturore.

Andaj nuk do duhej asesi që në një manifestim kaq të rëndësishëm të kulmonin antivlerat e një muzike tallava rrënjët e secilës janë në Serbi dhe në shtetet tjera sllave dhe si të tilla asgjë nuk kanë të përbashkët me vlerat e kombit shqiptar. Përfundimisht komuna e Malishevës para se të merrte një hapë të tillë për ti ftuar këngëtarët e këtij zhanri muzikor, do duhej të kishte parasysh seriozitetin dhe rëndësinë e këtij manifestimi.

Shënimi i ditës së çlirimit me muzikë tallava fletë më së miri për mënyrën se si është devijuar rruga e nderimit dhe e respektit ndaj dëshmorëve dhe gjithë atyre që ranë për këtë ditë që ne sot të jemi të lirë dhe të festojmë.