Malishevë: Komuna ndalon djegien e gomave në furrat e gëlqeres

furrtaret e gelqeresËshtë mbajtur takimi në mes Drejtorisë së Inspektoratit, Inspektorëve të Ministrisë së Ambientit dhe pronarëve të furrave për përfitimin e gëlqeres, ku këta të fundit janë njoftuar me zbatimin e ligjit, që ka të bëjë me mbrojtjen e ajrit, përkatësisht me ndalimin e përdorimit të gomave dhe plastikës, për djegien e furrave, e nga ana tjetër, pronarët e furrave kërkuan që t’ju lejohet vazhdimi i veprimtarisë, me përdorim të drurit për djegie.
Drejtori i Inspektoratit, z.Sejdi Paçarizi, fillimisht, i falënderoi pronarët e këtyre furrave, të cilët, kishin shprehur gatishmërinë e tyre, për zhvilluar këtë takim, në mënyrë që të njihen me ligjin, i cili ndalon përdorimin e gomave për djegie.
Ndërsa më gjerësisht për këtë problematikë, foli z.Mustafë Hyseni, nga Inspektorati i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, ku sipas tij, përveç se është kusht në raportin e progresit, përdorimi i gomave për djegie, është rreptësisht i ndaluar, për shkak të ndotjes së ambientit dhe ndikimit jashtëzakonisht në madh, negativ në shëndetin e qytetarëve dhe në eko sistem.
“Viti 2015, është viti i ndalimit përfundimtar të përdorimit të gomave për djegie dhe çdo furrë e cila do të bëjë këtë, do të rrënohet. Ky është vendim përfundimtar dhe ne do ta zbatojmë këtë”, tha inspektori Hyseni, duke i paralajmëruar me masat ndëshkuese.
Nga ana tjetër, pronarët e furrave për përfitimin gëlqeres nga Bardhi dhe Guncati, kërkuan që mos t’ju mbyllen furrat, pasi këtë e kanë burim të jetesës, por u zotuan se do të përdorin drurin për djegien e furrave. Ndërsa njëri nga pronarët, z.Selman Krasniqi, tha se “përfitimi i gëlqeres është edhe burim i jetesës, por edhe një traditë e trashëguar brez pas brezi dhe këtë traditë duan ta vazhdojnë, pasi është një trashëgimi, e cila i ka mbajtur gjallë banorët e kësaj ane”.
Imer Berisha, në emër të pronarëve të furrave nga fshati Bardh, duke folur në emër të të gjithë pronarëve, tha se “zotohemi për përdorimin e druve për djegie dhe çdo person që eventualisht, nga sot e tutje do të përdor goma apo plastikë, do të lajmërohet tek organet gjegjëse nga vet banorët dhe ky është një vendim unanim i marrë nga të gjithë”.
Drejtori i Inspektoratit, z.Sejdi Paçarizi, i paralajmëroi, se inspektorati dhe Policia e Kosovës, do ti vëzhgojnë vazhdimisht, 24 orë në ditë dhe nëse dikush përdor vetëm një gomë, do të merren masat ndëshkuese. Sipas inspektorëve të ministrisë, furrat do të rrënohen dhe shpenzimet do ti bartin vet pronarët e furrave.
Përndryshe, furrat për përfitimin e gëlqeres, janë burimi kryesor i jetesës për shumicën e banorëve të pjesës që jetojnë përgjatë maleve të Berishës dhe kjo është një traditë e trashëguar që nga kohët e lashta. Ndërsa viteve të fundit, me përdorimin e gomave, është shkaktuar ndotje e madhe e ambientit dhe shumë banorë ankohen edhe për rrezikun nga sëmundjet kancerogjene. Por shumë pronarë të furrave, thanë se edhe përdorimi i druve, mund të ketë pasoja n degradimin e pyjeve, prandaj, kërkojnë një zgjidhje për punësim, në mënyrë që të ruhet ambienti.