Malishevë: Jep dorëheqje nga PDK-ja Adem Berisha

Anëtari i PDK-së në Malishevë, Adem Berisha i ka dhënë fund angazhimeve të tij në këtë parti, duke thënë se PDK-ja është bërë parti e interesave të disa individëve.

Berisha ka shprehur kundërshtime edhe për marrëveshjen PDK-Nisma për Malishevën, të cilën ai e quan marrëveshje për injorimin e qytetarëve të Malishevës.

Letra e plotë e Berishës:

Letër publike drejtuar anëtarëve të PDK-së dhe qytetarëve të Malishevës

Të dashur qytetarë të Komunës së Malishevës, shumë të respektuar mbështetës.

Kam pasur nderin dhe respektin të jem me ju në momente vendimtare përgjatë shumë viteve, ku kemi kaluar bashkërisht vështirësi, kemi ndarë dhimbje dhe gëzime, kemi qëndruar pranë njëri tjetrit edhe atëherë kur dukej e pamundur.

Andaj, sot ju falënderoj përzemërsisht për mbështetjen që me keni dhënë gjatë luftës me gatishmërinë dhe sakrificën tuaj, pas luftës me mbështetjen politike e morale.

Pa angazhimin tuaj vetëmohues asnjë zhvillim pozitiv në Kosovë nuk do të ishte i mundur!

Sot, përmes kësaj letre dua të ju njoftoj për vendimin që kam marrë sa i përket veprimtarisë sime politike në Partinë Demokratike të Kosovës.

Siç e dini, shumë zhvillime politike në Kosovë dhe në veçanti në Malishevë janë larg synimeve që ka brezi ynë. Për këtë situatë ka përgjegjësi dhe këtë përgjegjësi ka disa vite që e kërkoj në Partinë Demokratike të Kosovës, dhe kudo ku më është dhënë rasti në sferën publike.

Prandaj, duke e parë brenda PDK-së një logjikë të udhëheqjes partiake të centralizuar dhe pa parime

Duke mos u pajtuar me marrëveshjen aspak parimore të bërë në mes PDK-së dhe NISMA-s e cila e shfaqi hapur injorimin ndaj qytetarëve.

Duke qenë se udhëheqja e PDK-së po tregohet jo serioze sa i përket Komunës së Malishevës dhe kandidatëve për Kryetar Komune të cilën është vazhdim i marrëveshjeve.

Duke e parë situatën ku shumë qytetarëve të Malishevës ju bëhen lloj lloj padrejtësish dhe PDK-ja në asnjë nivel nuk ju del në mbështetje.

Dhe mbi të gjitha duke parë se si Partia Demokratike e Kosovës nga një subjekt i cili synonte të ishte pranë qytetarëve dhe mirëqenies së tyre, pranë idealeve të luftës së UÇK-së dhe vlerave kombëtare ka përfunduar në një parti që është bërë rob i interesave të disa individëve, duke u larguar nga qytetarët dhe duke mohuar ato vlera për të cilat kontribuan shumë veprimtarë që padrejtësisht u injoruan, u përqeshën dhe u luftuan nga brenda.

Sot, bëjë publike dorëheqjen time të pakthyeshme nga PDK-ja.

Dua të falënderoj nga zemra të gjithë ata qytetarë dhe bashkë partiakë duke filluar nga fshati Gurbardh, dhe te gjitha fshatrat tjera te Komunës e Malishevës dhe më gjerë që më inkurajuan dhe mbështetën vazhdimisht që të punoj dhe veproj gjithmonë në interes të qytetarëve dhe vendit, që nga koha kur isha mësimdhënës e pastaj luftëtar në luftën e lavdishme të UÇK-së, e deri tek angazhimet e pasluftës si përfaqësues i tyre në asamblenë komunale, në qeverisjen lokale dhe qendrore.

Angazhimin tim publik dhe politik nuk do ta ndalë, por do ta vazhdoj edhe më shumë për çka besoj në mbështetjen dhe angazhimin e përbashkët me qytetarët e Malishevës për të sjellë në jetë ato ideale dhe të drejta të cilat sot ende na mohohen si qytetarë të Malishevës dhe Kosovës