Malishevë: Filloi ndërtimi i shkollave në Lladrovc dhe Bardh

Sot në fshatin Bardh, ka filluar ndërtimi i shkollës së re të fshatit. Po ashtu edhe në fshatin Lladrovc, sot ka filluar ndërtimi i shkollës së re dhe të dy këto shkolla pritet të përfundojnë në vitin 2018. Lladrovci, gjithashtu sot, shënon edhe ditën e dëshmorëve të fshatit. Në vënien e gurëthemelit të shkollave, mori pjesë edhe Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, drejtori i arsimit Avdi Morina dhe drejtorë tjerë  të drejtorive komunale.

Me këtë rast, kryetari Begaj, i ka uruar, nxënësit, banorët dhe mësimdhënësit e të dy shkollave. “Qëllim i yni është rritja e cilësisë në arsim, por për rritjen e cilësisë duhet të krijohen edhe kushte për mësimdhënie dhe mësimnxënie, prandaj edhe ne si udhëheqje komunale, investimet në fushën e arsimit, përkatësisht në ndërtimin e objekteve shkollore, e kemi prioritet. Unë ju uroj për fillimin e punimeve dhe uroj që ti gëzoni këto shkolla dhe në të njëjtën kohë, ne veçanti ju mësimdhënës, bashkë me nxënësit, uroj të tregoni rezultate”, tha mes tjerash Begaj. Në Lladrovc, kryetari Begaj, me rastin e ditës së dëshmorëve, ka bërë nderime pranë lapidarit të të rënëve.

Me rastin e fillimit të punimeve edhe drejtori i arsimit në Malishevë, Avdi Morina, i ka uruar banorët, nxënësit dhe mësimdhënësit e të dy shkollave.

Drejtori i urbanizimit, Ahmet Morina, tha se “shkolla në Bardh ka një hapësirë prej 1200 metra katrorë, ndërsa hapësira e shkollës në Lladrovc është 1500 metra katrorë”. Ndërtimi i shkollës në Bardh, do të kushtoj rreth 250 mijë euro, kurse ajo në Lladrovc, rreth 280 mijë euro dhe financohen nga buxheti i Komunës së Malishevës