Malishevë: Avokati i Popullit pajton Ragip Begajn dhe Fetah Rudin

avoaktipopullit-malishevePërmes një kumtese për medie, Avokati i Popullit njofton se “bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë e përcaktuara me ligj, Avokati i Popullit ushtron kompetencat e tij edhe me anë të ndërmjetësimit dhe pajtimit.

Duke e vlerësuar si alternativë, jo thjesht për zgjidhjen e rasteve, por edhe për ngritjen e përgjegjshmërisë institucionale, Avokati i Popullit ka vënë në përdorim këtë mundësi ligjore dhe ka ndërmjetësuar midis Fetah Rudi dhe kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Fetah Rudi, i është drejtuar me ankesë Avokatit të Popullit lidhur me deklaratën publike të Ragip Begaj, i cili, në cilësinë e funksionit që kryen, duke aluduar në aftësitë e kufizuara në lëvizje të Rudi, është shprehur se: “Për shkak të problemeve shëndetësore Fetahu nuk mund ta ushtrojë funksionin e nënkryetarit”. Kjo deklaratë, me të drejtë, është konsideruar diskriminuese nga Rudi.

Avokati i Popullit ka propozuar ndërmjetësimin si mekanizëm juridik për çështjen e ngritur, për të cilën janë pajtuar të dyja palët dhe pas takimit me përfaqësuesit e Avokatit të Popullit është arritur marrëveshja.

Duke marrë parasysh gjithë rrethanat në të cilat ka ndodhur deklarimi, ashtu siç edhe respektin e ndërsjellë që Begaj dhe Rudi, vazhdon kumtesa, kanë shfaqur për njëri tjetrin, në takimet e ndara me ta, është realizuar një takim i përbashkët, me ç’ rast kryetari i Komunës së Malishevës ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar pas deklaratës së tij, të dhënë pa qëllim diskriminimi, për të cilën gjithashtu ka bërë edhe sqarim publik.

Ai ka kërkuar falje për shqetësimin e krijuar me këtë rast, gjë që është vlerësuar dhe është mirëpritur nga Fetah Rudi, si formë e satisfaksionit moral, përfudnon kumtesa.