Malisheva vazhdon kundërshtimin për të qenë pjesë e rajonit të Gjakovës

sheshi i deshmoreve malisheve

Zyrtarë të Komunës së Malishevës kanë bërë të ditur se janë në pritje të veprimeve nga institucionet e nivelit qendror rreth lidhjes rajonale të kësaj komune, përkatësisht kthimit në kuadër të rajonit të Prizrenit.

Autoritetet qendrore një vit më parë patën thënë se janë duke punuar në adresimin e shqetësimeve të shprehura nga qytetarët e Malishevës rreth kësaj çështjeje, shkruan sot “Koha Ditore”. Mirëpo, sipas zyrtarit të informimit të Komunës së Malishevës, Artan Paçarizi, ende nuk ka ndonjë hap konkret të institucioneve qendrore rreth kthimit të Komunës së Malishevës në rajonin e Prizrenit.

Madje shqetësimin në këtë plan e ka ngritur sërish kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj, gjatë takimit të zhvilluar në javën e kaluar me kryeministrin, Isa Mustafa.

“Problem tjetër i Malishevës është edhe rajonizimi me Gjakovën, ku qytetarët janë tejet të pakënaqur, pasi qytetari nuk është pyetur për këtë, ndërsa ne i kemi të gjitha lidhjet me rajonin e Prizrenit, qoftë lidhje historike, ekonomike, miqësore, natyrore, të komunikimit dhe çdo gjë tjetër na lidh me Prizrenin”, ka thënë Begaj, gjatë këtij takimi.

Paçarizi ka nënvizuar se Malisheva në çdo formë ka qenë dhe është e lidhur me Prizrenin. “Miqësisht, ekonomikisht, historikisht, jemi të lidhur me regjionin e Prizrenit. Malisheva ka asetet e saj në Prizren, ku edhe jetojnë një pjesë e madhe e qytetarëve tanë. Edhe në aspektin natyror Komuna e Malishevës lidhet me Prizrenin, ndërsa me Gjakovën natyrshëm na ndan edhe lumi Drini i Bardhë. Me rajonin e Gjakovës na lidh vetëm Ura e Fshejtë dhe nuk ka as linjë autobusi me Gjakovë, përderisa me Prizren, përveç rrugës së shkurtër, edhe linjat e autobusëve janë në çdo 30 minuta, çka e dëshmon se sa qytetarët e Malishevës janë të lidhur me Prizrenin. Kjo lidhje e komunikimit, ekonomisë, natyrës dhe të tjerat, janë arsye që qytetarët të vendosin vetë për hapat e mëtutjeshëm të kundërshtimit të kësaj lidhjeje të panatyrshme”, është shprehur Paçarizi.

Malishevasit gjatë vitit të kaluar janë ankuar tek organet komunale për lidhjen e re rajonale. Në vend të Gjakovës kanë kërkuar kthimin në rajonin e Prizrenit