Mafia e karburantit në Kosovë?

Petrolat-Infokusi-623x375Të dyshuar për përfshirje në kontrabandë me derivate të naftë janë kompanitë e fuqishme që operojnë në tregun e Kosovës. Madje, të zhytura në këtë skandal dyshohet të jenë edhe disa kompani të cilat marrin miliona nga buxheti i shtetit për t’i furnizuar institucionet e Kosovës me derivate të naftës.

Burime të portalit “Infokusi” kanë bërë të ditur se disa kompani të fuqishme të derivateve të naftës janë të lidhura ngushtë me grupet kriminale që operojnë në veri të Mitrovicës. Kjo ka rezultuar edhe gjatë hetimeve të cilat kanë filluar 6 muaj më parë.

Sipas këtij burimi, i cili është pjesë e hetimeve në këtë rast, të dyshuara për kontrabandë me derivate të naftës janë 12-të kompani, në mesin e tyre edhe “Petrol Company”, “Hib Petrol”, “AL Petroll”,  si dhe“Gold Benz”.

“Këto kompani janë të dyshuara dhe janë kryer bastisje edhe para aksionit të djeshëm. Ka pasur bastisje në shumicën e kompanive si dhe janë bastisur edhe disa prona të pronarëve të këtyre kompanive”, ka thënë ky burim i cili deshi të mbetet anonim.

Sipas tij, janë bastisur pronat e Latif Kryeziut, milionerit i cili ka në pronësi dhjetëra pika të shitjes së derivateve të naftës “Al Petrol”. Po ashtu, bastisje ka pasur edhe në pronat e milionerit tjetër, Shkelzen Jusaj, pronarit të “Petrol Company” si dhe në kompaninë e milionerit tjetër, Ibrahim Bucaliut, i cili është pronar i kompanisë “HIB Petrol”.

“Të gjitha këto kompani dyshohet së janë të lidhura me grupet kriminale të kontrabandës të cilat veprojnë në veri të Mitrovicës. Ne dje i kemi arrestuar 17 persona të dyshuar për krim të organizuar dhe kontrabandë me derivate të naftës, cigareve dhe mallrave të tjera. Nuk kemi arritur t’i arrestojmë edhe disa persona të tjerë të cilët janë në arrati. Disa nga ta janë të nacionalitetit serb dhe nuk kemi arritur t’i kapim për shkak së nuk kishim informacione të sakta për vendndodhjen e tyre. Të gjithë ata qe janë në veri të Mitrovicës dhe tani është lëshuar flet arrest për ta janë recidivist të veprave kontrabandë të mallrave dhe të cilët i furnizojnë këta tregtar të cilët tashme janë duke u hetuar”, ka thënë ai.

Një informatë tjetër e cila dje është mbajtur e fshehtë nga policia, është rasti me kompaninë “HIB Petrol”. Kjo kompani është e dyshuar dhe dje janë kryer bastisje në njërën nga pikat e saj të shitjes në hyrje të Mitrovicës. Në këtë kompani furnizohen me derivate të naftës institucionet e shtetit dhe kjo mund të jetë arsye pse nuk është bërë publike edhe ky informacion.

“Nuk e di pse nuk është njoftuar edhe për këtë kompani, por ajo që është e sigurt është që dje ne kemi bastisur edhe këtë pikë të shitjes së karburanteve dhe kjo kompani është e dyshuar në këtë rast”, ka thënë burimi i portalit “Infokusi”.

Portali “Infokusi” dje gjatë ditës ka provuar të marrë informacione nga Policia e Kosovës lidhur me bastisjet e pronave të milionerëve të naftës, por kjo ka qenë e pa mundur për shkak së telefoni i zëdhënësit të policisë ka qenë i fikur.

Ndërsa, zëdhënësja e misionit të EULEX-it, Dragana Nikolic Solomon e kontaktuar nga “Infokusi” ka thënë së këtë aksion e ka kryer Policia e Kosovës dhe ata duhet të japin përgjigje.

Po ashtu, e pa mundur për të biseduar ka qenë edhe me pronaret e kompanisë “AL Petrol” për shkak së nuk janë përgjigjur në telefon.

Ndryshe, në operacionin e gjerë të zhvilluar dje nga Policia e Kosovës janë arrestuar gjithsej 17-të persona të dyshuar për krim të organizuar dhe kontrabandë me derivate të naftës, cigareve dhe mallrave të tjera. Operacioni është zhvilluar në 38-të lokacione të ndryshme në disa komuna të Kosovës.

Gjatë operacionit ka pasur bastisje në 12-të pompa të naftës, ndërsa janë sekuestruar mbi 24 mijë euro, 11 armë të ndryshme të zjarrit, pesë vetura, si dhe gjësende të tjera të cilat do të përdoren si dëshmi. /Infokusi.com/