Lunaçek: Liberalizimi i vizave nuk është i sigurt as për vitin e ardhshëm

lunacek

Ka qenë e rezervuar kur eurodeputetja Ulrike Lunacek, foli për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nëse do të varej prej saj, Lunacek thotë se Kosova tashmë do të kishte liberalizimin, por janë 28 ministra të punëve të brendshme të BE-së, të cilët duhet të japin votën.

E të gjitha këto vota, Lunacek ngrit dyshimet se Kosova nuk do t’i ketë. Sidomos kur ministrat e këtyre shteteve janë ballafaquar me numër të madh të refugjatëve.

Ajo bëri me dije se Komisioni Evropian është duke përgatitur raportin të cilin do ta prezantoj para anëtarëve të saj në muajin dhjetor, dhe se pret që të ketë rezultate pozitive, transmeton KosovaPress.

Gjithashtu tha se do të mundohet që të bind shtetet që të votojnë pro Kosovës për Liberalizim, në mënyrë që Kosova të lëvizë lirshëm në Evropë në vitin e ardhshëm.

“Kam folur me shumë njerëz se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për liberalizim. Unë jam shumë mbështetëse për këtë dhe po ashtu edhe Komisioni Evropian dhe do t’i bindim shtetet anëtare që të votojnë. Ende nuk është krejtësisht e qartë a do të ndodh kjo, sepse politika nuk është e drejtë. Janë 28 ministra të punëve të bre ndshme të shteteve anëtare të cilat mund të kenë problem të thonë po për shkak të refugjatëve. Nuk jam plotësisht e sigurt për vitin e ardhshëm”, tha Lunacek.

Eurodeputetja foli edhe për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, për të cilën nuk i mori votat e mjaftueshme. Për aplikimin në këtë organizatë ndërkombëtare Lunacek tha se Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovës duhet të ketë një strategji më të mirë.

E kundërshtimin e Serbisë dhe gjuhën raciste të kryeministrit Aleksandar Vuçiq, po e quan të papranueshme.