Lufti Haziri akuzon PDK-në: ju i vratë kolegët e mi të LDK-së!

Retorika e fushatës paraelektorale për zgjedhjet parlamentare me 11 qershor ka filluar që të nxehet. Kështu kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri njëherit edhe nënkryetar i LDK-së ka deklaruar se koalicioni PDK-ë –AAK-ë dhe Nisma nuk do të mund të garantojnë zhvillim ekonomik dhe liberalizim të vizave ngase, sipas tij, një numër i zyrtarëve të këtyre partive gjenden në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, demarkacioni ka qenë vetëm një kauzë e rrejshme për të çuar vendin në zgjedhje. Këto komente Haziri i ka bërë gjatë tubimit paraelektoral ku edhe u prezantuan kandidatët për deputet në Parlamentin e Kosovës të cilët janë nga Gjilani dhe janë fryt i një koalicioni të LDK-së me partitë tjera. raporton korrespodenti i Kohës Ditore në Gjilan.

“Nuk mundet me bo premtim për zhvillim e Euro Atlantik që nënkupton BE-e dhe NATO-s dhe liberalizim të vizave ku ata njerëz që i ki sot në listë të tyre 70 për qind nuk munden me marr viza se janë në listat e zeza. Ata njerëz për veti janë të refuzuar që sa vite disa edhe Qeveria Amerikanë i ka refuzuar”, ka thënë ai.

Haziri gjithashtu i është kundërpërgjigjur kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit i cili në një tubim në Gjilan kishte deklaruar se pas zgjedhjeve të 11 qershorit LDK-ë dhe lëvizja “Vetëvendosje” do të ndjeheshin të ithtum pas fitores së koalicionit PDK-ë –AAK-ë Nisma.

Ai ka akuzuar PDK-në për vrasjet e funksionarëve të LDK-së pas përfundimit të konfliktit në Kosovë.

“Nuk ka me u ndi unë dhe Ismajl Kurteshi i hidhëruar me 11 sepse ne nuk punojmë për ndarje, sepse koalicion jonë nuk punon që me 11 gjysma e popullit të ithtohet por me kon të lumtur të gjithë dhe me pas besim të gjithë për kryeministrin që ka me marr detyrën. Ne do të festojmë atë ditë dhe nuk mundet me na ithtu kurrë ai as bashkëveprimtarët e tij jetën në Gjilan dhe Anamoravë. Nëse beson që vërtet koalicioni i tij paska qasi fuqie politike me na ithtu neve unë i kallëzoj që dikush në luftë është mundu me ja ithtu LDK-së por nuk ka mujt. Janë mundu me na ithtu shumë në këtë zonën tonë por neve nuk kane mujt me na afru hiq. Më vjen keq që disa kolegë të mi e kanë pësuar dhe ende drejtësi për ta nuk është bërë nuk është koha tash me përmend veç me ja kujtu që në qaf ton jetën kanë me i bart derisa të zbardhen”, ka thënë ai.