“Luftë” në LDK për kandidatin për kryeministër: Ky është kandidati që shkon në “finale”!

Tërheqja e Isa Mustafës nga gara për kryeministër, ka rritur ambiciet e shumë individëve në LDK për të marrë nominimin e partisë për të garuar për postin e kryeministrit.

Gazeta Blic nga burime brenda kësaj partie kanë bërë të ditur se deri më tani kandidati më serioz është nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri.

Mirëpo, sipas këtyre burimeve nuk është që Haziri e ka mbështetjen direkte të Isa Mustafës dhe të disa njerëzve për rreth tij.

“Isa Mustafa ende ka mëdyshje nëse do ta mbështes Hazirin për kandidat për kryeministër. Ai dhe disa njerëz për rreth tij më shumë e preferojnë emrin e Avdullah Hotit dhe të Lumir Abdixhikut, se sa të Hazirit. Mirëpo, do të varet shumë edhe nga Agim Veliu dhe disa njerëz të tjerë të kësaj partie, se kush do të jetë kandidati për kryeministër”, thonë këto burime.

Ndërkaq, zyrtarisht askush nga LDK nuk ka pranuar të flasë se kush do të jetë kandidati i mundshëm.

Gazeta Blic edhe më herët ka raportuar për dy kandidatë të mundshëm: Lutfi Hazirin dhe Avdullah Hotin, i cili konsiderohet si njeriu më i afërt dhe më besnik i Isa Mustafës.

Mirëpo, vetë Hoti ka thënë se nuk pretendon që t’i hyjë kësaj gare.

Ndërkaq, Lutfi Haziri sot u ka thënë mediave se ende nuk ka asgjë konkrete se kush do të jetë kandidati i mundshëm për kryeministër nga LDK.

Ai tha se sot për LDK-në janë interes kapital koalicionet dhe hapja e listës për emra nga shoqëria civile.

“Emri i të nominuarit bëhet me dije sa të përfundojmë koalicionet,” është shprehur Haziri, për arbresh.info.

Ndërkaq, disa media kanë raportuar se emër shumë  i mundshëm për kryeministër është edhe ai i Lumir Abdixhikut, i cili tashmë e ka konfirmuar se do t’i bashkohet përfundimisht Lidhjes Demokratike të Kosovës.