Lotaria amerikane: Ja ku mund ta gjeni emrin nëse keni fituar apo jo

Për të kontrolluar nëse jeni shpallur fitues ose jo i “lotarisë amerikane”, ju duhet të vizitoni faqen e dedikuar për këtë proces, e cila është e njëjta ku keni aplikuar. (kliko këtu)

Nëse keni aplikuar nga 4 Tetori 2016 deri në 7 Nëntor 2016, do të thotë se po kontrolloni statusin e aplikantit për vitin 2018. Afati për të kontrolluar është më i gjatë se ai që keni për të aplikuar, pra nis nga 2 Maji 2017 ora 18:00, deri më 30 Shtator 2018. Gjatë kësaj kohe ju duhet të mbani sekret numrin e konfirmimit.

Kësaj radhe në portal do t’ju kërkohet të plotësoni fushat bosh me numrin e konfirmimit, mbiemrin, vitin e lindjes dhe kodin e sigurisë.

Nëse keni humbur numrin e konfirmimit, i cili është numri që ju është caktuar pasi keni bërë aplikimin fillestar, mos u shqetësoni pasi ka një mënyrë për ta rikthyer atë. Mjafton të klikoni Forgot Confirmation Number, poshtë fushës bosh dhe të plotësoni të dhënat që ju kërkohen.

Këto të dhëna përfshijnë, sipas radhës, vitin e aplikimit (në këtë rast 2018), mbiemrin, emrin dhe emrin e mesit (të cilat duhet të jenë të shkruara ekzaktësisht si në formularin e aplikimit), muaji, ditën dhe vitin e lindjes së aplikantit, si dhe adresën e postës elektronike (email), të cilën keni përdorur për aplikimin.

Pasi të keni plotësuar edhe karakteret që ju shfaqen në kodin e sigurisë, kliko butonin submit dhe shumë shpejt në email do t’ju vijë në përgjigje numri juaj i konfirmimit.

Më pas mjafton të riktheheni dhe të plotësoni formularin e parë. Menjëherë pasi të konfirmoni të dhënat, në ekran do të shfaqet mesazhi nëse jeni përzgjedhur ose jo për të vijuar procedurat për marrjen e vizës me SHBA.

Në rast të një rezultati pozitiv, kjo nuk nënkupton se keni përfituar vizën. Për të marrë një vizë emigruese ju duhet të përmbushni të gjitha kërkesat dhe do do të vijoni me hapat e mbetur, që përfshijnë edhe intervista në Ambasadën Amerikane.