Lladroc: Nisma rehaton militantin partiak si mësimdhënës në shkollë

Se shkeljet e ligjit dhe udhëzimeve administrative të Ministrisë së Arsimit, janë bërë rutinë e zakonshme nga qeverisja e Begajt në Malishevë e dëshmon fakti i keqpërdorimeve të fundit në sektorin e arsimit që kanë ndodhur edhe këtë vit shkollor. Në adresë të Malishevapress, vazhdimisht lexuesit tanë na shkruajnë lidhur me dallaveret që ky subjekt politik ka vazhduar ti bëjë edhe këtë vit me pranimin e kuadrit mësimor.

Rasti i fundit është në Shkollën Fillore “Afrim Buçaj” në fshatin Lladroc, ku DKA, ka bërë shkelje të dyfishtë fillimisht duke fshehur orët, pra duke mos shpallur konkurs për orët e lira në lëndën e Edukatës Muzikore, ndërsa shkeljen e radhës e bënë duke pranuar mësimdhënës të pakualifikuar për këtë orë mësimore. Kjo është bërë e ditur nga burime tona brenda shkollës, ku përveç tjerash merret vesh se mësimdhënësi i ri B. Bibaj, i pranuar në këtë pozitë nuk ka fare kualifikim arsimor, ka të kryer fakultetin teknik në Mitrovicë dhe është pranuar si mësimdhënës i Edukatës Muzikore.

Për më tepër nga këto burime merret vesh se mësimdhënësi në fjalë është militant i Nismës dhe ky ishte faktori kryesor që ai është pranuar në mënyrë të jashtëligjshme si mësimdhënës në këtë shkollë. “Edhe pse për mbulimin e orëve të lira të muzikës dhe lëndët zgjedhore, kishte mjaftë mësimdhënës të cilët janë të kualifikuar, por që kanë mungesë të fondit të orëve, megjithatë edhe përkundër kësaj DKA, ka zgjedhur të rehatoj militantin e Nismës, dhe në këtë mënyrë të shndërroj arsimin si “kompani” për blerjen e votave” thuhet nga burimet tona brenda SHFMU “Afrim Buçaj” në Lladroc.