Lladroc: Është shënuar 70 vjetori i hapjes së shkollës në këtë fshat (Foto)

Shtatëdhjetë vjetori i shkollës “Afrim Buqaj”, në Lladroc të Malishevës, u shënua duke kujtuar veprimtarinë e mësimdhënësit dhe dëshmorit, Afrim Buqaj, si dhe nxënësve të tjerë që janë dëshmorë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nëna e dëshmorit Afrim Buqaj, Hajrie Bucaj, edhe pse ndjehet e mërzitur për humbjen e djalit të saj, por në të njëjtën kohë ndjehet krenare me emrin e madh të dëshmorit Arim Buqaj.

Buqaj: Për këtë ditë më doket që Afrimi është gjallë

“Ndjehem mirë për këtë ditë, më doket që Afrimi është gjallë. Kur jam këtu e shoh shkollën, i shoh nxënësit, e shoh përmendoren. Unë e ndjej veten mirë sikur me qenë gjallë Afrimi. Kur të këndojnë këngët krejt për Kleçkë, unë e ndiej sikur me qenë gjallë ai sepse dritë bëjnë ata dëshmorë, kurrë nuk harrohen dëshmorët i kanë dhënë dritë Kleçkës”, u shpreh ajo.

Kurse, nëna e dëshmorit, Avni Buqaj, Mendehije Buqaj nuk i ndal lotët.

Buqaj: Avnia la mësimin në gjysmë

“Avnia në këtë shkollë ka mësuar por e ka lënë në gjysmë për shkak të kushteve, i ka dhënë mësim Afrimi”, tha ai.

Banori i fshatit Lladroc, Hysni Zogaj, tha se çdo vit e përkujtojnë këtë ditë për vendasin e tyre të historisë së fundit të luftës çlirimtare.

Zogaj: Kjo shkollë e mbanë emrin e Afrim Buqajt me krenari të madhe

“Shkolla përpara është thirrur “Naim Frashëri” dhe objekti i parë i shkollës shqipe në fshatin Lladroc është i familjes sime por megjithëse ndodhi lufta e fundit e kemi ndërru emrin e shkollës e kemi ngjit emrin e dëshmorit Afrim Buqaj, meqenëse ishte mësues në këtë shkollë dhe 18 nxënësa kanë qenë luftëtar të Afrim Buqajt, nxënësa që ai i edukoi dhe mësoi iu bashkëngjiten në radhën e Ushtrisë Çlirimtare, atëherë vendosëm që shkollës t’ia ndërrojmë emrin. Kjo shkollë e mbanë emrin e Afrim Buqajt me krenari të madhe për arsye se prej kësaj shkolle dalin shumë gjenerata të afta dhe të mira”, tha ai.

Kurse, drejtori i kësaj shkolle, Ramadan Bibaj tha se hapja e kësaj shkolle ngjalli shpresat për vendasit e këtij fshati, edhe pse punojnë në kushte të improvizuara dhe të vështira.

Bibaj: Hapësira shkollore ka qenë gjithherë e pamjaftueshme

“Hapësira shkollore ka qenë gjithherë e pamjaftueshme, infrastruktura shkollore ka qenë shumë e vogël, mirëpo, entuziasti i banorëve i fëmijëve gjithmonë ka qenë arsimdashës, pra gjithmonë kanë qenë optimist për shkollë. Ky fshat shquhet për traditë arsimuese, për traditë shkollore dhe një numër i madh nga ky fshat janë që ndajnë intelektual dhe sot jetojnë dhe punojnë nëpër katër anët e shtetit të Kosovës”, tha drejtori i shkollës. Drejtor i drejtorisë së arsimit në Malishevë, Avdi Morina, në përvjetorin e shkollës erdhi me një lajmë të rëndësishëm për banorët e kësaj ane, dukë nënshkruar kontratën që ditët në vijim pritet të vendoset gurëthemeli për fillimin e objektit të ri shkollor që është shumë e nevojshme për nxënësit qe vijojnë mësimin aty. Morina: Sot kam ardhur me një lajm të mirë për nxënësit dhe mësimdhënësit.

“Sot kam ardhur me një lajm të mirë për nxënësit së pari, për mësimdhënësit por edhe të gjithë komunitetin e prindërve të fshatit Lladroc që ka shku njoftimi në këshillin e prokurimit publik që kompania e caktuar ka marrë përsipër ndërtimin e objektit të ri shkollor”, tha ai.

Përndryshe, këtë shkollë e hapi mësuesi Bajrush Buqaj, së bashku me intelektualin Shaqir Bujupin në vitin 1947.