Limaj e bënë anëtarë të bordit në PTK ish dëshmitarin e rastit “Bellanica”

Përveç bashkëshortes së deputetit Berisha, pjesë e anëtarëve të bordit të Telekomit është edhe Skender Hoti.

Hoti ka qenë dëshmitar në procesin e njohur si “Bellanica”, ku i dyshuari kryesor ishte zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj. Skender Hoti kishte deklaruar se ka qenë komandat i njësitit “Çeliku 5”.

Në mesin e këtyre anëtarëve është edhe Osman Ejupi ish-kryetar i Autroitetit Kosovar të Konkurrencës. Përveç Ejupit anëtar bordi është edhe Sead Ujkani, i cili ka qenë ish-kryesuesi i bordit të Ndërmarrjes “Stacioni i Autobusëve”, i cili është edhe profesor në Fakultetin Ekonomik të Univeristetit të Prishtinës.

Në mesin e tyre janë edhe Fidel Krasniqi dhe Suzana Andjelkoviq.

Haradinaj  sot gjatë një koference për media ka siguruar se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të PTK-së  ka qenë i mirëfilltë, kur është pyetur se në listë janë futur emra politikë.

“Për sa janë politik, nuk mund them tash për tash, por mundem me ju siguru diçka se ka ndodhur një proces i mirëfilltë paraprak para këtij vendimi, por është shtyrë, sepse është bërë ndërrimi i Qeverisë, dhe se është i njëjti proces që është vazhduar. Andaj, edhe një praktikë e tillë  janë komisionet të cilat i bëjnë propozimin qeverisë. Pra, në tavolinë të qeverisë këta gjatë (emra) kanë ardhur”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ndryshe, Bordi i Telekomit të Kosovës ka qenë jo funksional tash e më shumë se dy vjet. Në fillim ishin propozuar 24 kandidatë  të cilët i ishin nënshtruar intervistës për anëtar të bordit të Telekomit të Kosovës.

Kjo ndërmarrje publike përveç që ishte pa bord tash e një kohë, ajo ka mbetur edhe pa kryeshef ekzekutiv pasi që mandati i drejtorit menaxhues, Agron Mustafa ka skaduar me 23 shkurt të këtij viti. /Insajderi.com