Kuvendi Komunal në Malishevë formoi komitetet obligative

Kuvendi i Komunës së Malishevës, sot ka mbajtur mbledhjen e dytë të radhës, ku ka formuar dy komitetet obligative, si dhe ka formuar grupin për hartimin e planit të punës së kuvendit, për vitin 2018. Në formimin e komiteteve, grupi i anëtarëve të NISMA-s, nuk është pajtuar me përfaqësimin e saj në Komitetin për Politikë dhe Financa (KPF), dhe për këtë qëllim nuk ka marrë pjesë në procesin e votimit.

Me vendim të anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Malishevës, Komiteti për Politikë dhe Financa, do ti ketë shtatë anëtarë, të përfaqësuar me nga dy anëtar NISMA dhe PDK, dhe me nga një anëtar LDK dhe LVV, si dhe kryesuesi i KK-së, i cili vjen nga radhët e LDK-së. Kjo ishte edhe arsyeja që anëtarët e NISMA në KK, që janë 11 anëtar, plus një i aderuar nga LDK, që bëjnë 12 dhe përkrahja që i ka dhënë edhe përfaqësuesi i AAK-së, e që bëjnë 13, e kanë kundërshtuar këtë përbërje, duke kërkuar që NISMA të jetë e përfaqësuar me 3 anëtar në KPF.

Lidhur me këtë, anëtarët e NISMA në KK të Malishevës, u deklaruan se do të kërkojnë interpretim ligjor nga  MAPL.

Po ashtu KK i Malishevës, mori vendim për formimin e Komitetit për Komunitete, i cili gjithashtu do të jetë i përbërë nga shtatë anëtarë dhe do ta ketë këtë përbërje të përfaqësimit, dy anëtar NISMA, nga një PDK, LDK dhe LVV, si dhe dy pjesëtar të komuniteteve që nuk janë të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës.

Në këtë mbledhje, KK i Malishevës, mori vendim edhe për formimin e komisionit, i cili do të merret me hartimin e planit të punës së kuvendit, për vitin 2018.