Kush është skitari nga Banja që do ta përfaqësojë Kosovën në “Pyeongchang 2018”

Skitari Faton Shurdhaj ndihet me fat që është rritur në shtetin më të suksesshëm në skitari – Austri. Por, 20-vjeçari që tashmë ka normë të fituar për Lojërat Olimpike Dimërore që mbahen në muajin shkurt të vitit të ardhshëm në “Pyeongchang” të Koresë së Jugut, nuk do ta ketë mundësinë ta përfaqësojë shtetin austriak.

Ai ende nuk e ka fituar shtetësinë austriake dhe për t’u paraqitur në “Pyeongchang” i duhet ta përfaqësojë shtetin ku ka lindur – Kosovën. Dhe, për këtë është i lumtur, shkruan Koha Ditore.

Shurdhaj i lindur në Malishevë, ka fituar pikët e mjaftueshme për të siguruar normën në disiplinën sllallom i madh.

“Kam pasur besim se një ditë do të arrij në këtë nivel. E kam arritur falë mbështetjes nga familja si financiare ashtu edhe morale. Ka qenë rrugë e vështirë dhe e kushtueshme, por nuk është kursyer asgjë nga familja”, ka thënë Shurdhaj.