Kush duhet të ulet në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës?

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë në Kosovë, thonë se përbërja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës, ka nevojë për deputetë që janë të denjë, me integritet të plotë dhe të profesioneve të fushave të caktuara.

Ata kërkojnë përfshirje sa më të madhe të të rinjve, duke besuar se ata do të sillnin një frymë të re në përbërjen e legjislaturës së re.

Kosova pritet t’i mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 qershor, pas rënies së Qeverisë nga një mocion mosbesimi në Kuvend dhe shpërbërjes së institucionit ligjvënës.

Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se partitë politike në Kosovë, në këto zgjedhje, duhet të sjellin njerëz, të cilët kanë vlera.

“Legjislatura e ardhshme ka nevojë për profil të deputetëve që së pari janë të denjë, me integritet të plotë dhe janë profesionistë të fushave të caktuara. Nevoja është që të ketë sa më shumë profesionistë të fushës së sundimit të ligjit dhe të fushës së ekonomisë, dy fusha ku Kosova vazhdon të ketë shumë probleme”, vlerëson Musliu.

Janë shumë vendime e procese që e presin edhe legjislaturën e re, ka nënvizuar Musliu, duke veçuar demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Po ashtu, sipas tij, mbetet të punohet shumë në fushën e sundimit të ligjit dhe ekonomisë.

Për të gjitha këto procese, shton Musliu, përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës i duhen deputetë profesionistë.

“Shpresoj shumë që partitë politike në listat e tyre kanë vendosur emra që kanë integritet të plotë dhe janë profesionistë të këtyre fushave, ndërsa se kush do të jetë, besoj që qytetarët do të vetëdijesohen dhe do t’i votojnë ata që kanë vlera, kanë merita dhe jo ata të cilët janë ‘gladiator’ të partive politike që i shohim në sa e sa zgjedhje”, shton Musliu.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej të cilave 100 u ndahen partive nga radhët e shumicës shqiptare, 10 atyre serbe dhe 10 komuniteteve joserbe.

Në këto ulëse të Kuvendit të Kosovës, sipas ekspertit të çështjeve ekonomike Naim Gashi, do të duhej të ulen njerëz, të cilët kanë kredibilitet dhe të kaluar jo kriminale.

“Mendimi im është që kategoria kryesore që do të duhej ta rriste prezencën në Parlamentin e Kosovës do të duhej të ishin të rinjtë dhe gratë, për arsye se ne jemi vendi me popullatën më të re në Evropë dhe jemi me përqindje më të ulët të rinjve në proceset vendimmarrëse, duke përfshirë edhe Parlamentin. Po ashtu duhet një përfaqësim adekuat dhe dinjitoz i grave jo vetëm në Kuvend, por edhe në Qeveri dhe në të gjitha institucionet tjera ekzekutive të shtetit”, thekson Gashi.

Legjislatura e deritashme në Kosovës, nga shoqëria civile, ishte cilësuar nga më të plogështat deri më tash, kur bëhet fjalë për vendimmarrje, përmbushje të agjendës së punës dhe miratim të ligjeve.

Ndryshe, të ardhurat mujore të deputetëve, përfshirë edhe mëditjet, arrijnë apo edhe e tejkalojnë shumën prej 2000 eurosh.