Kurti: Qeverisja e Vetëvendosjes do të bëjë shumë hetime

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se me qeverisjen e kësaj partie do të bëhen shumë hetime në shëndetësi  për t’i gjetur përgjegjësit që e kanë sjellë këtë sistem deri këtu.

“Ministria e ardhshme e Shëndetësisë me qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje do të duhej të bënte një hulumtim dhe një hetim se cilët janë përgjegjësit që deri më tani nuk kemi pasur mjaftueshëm barna dhe në mënyrë rigoroze të kontrollohet cilësia e tyre. Shteti është mbikëqyrës i cilësisë. Ne duhet t’i identifikojmë defektet që i kemi gjetur aty dhe kjo duhet të bëhet me transparencë të plotë”, ka thënë Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje, sipas tij, pas 11 qershorit, me qeverisjen e saj, duhet të bëjë shumë hetime për të këqijat e mëhershme për shkak se nuk ka pasur transparencë.

“Ne e kemi hetuar pasojën dhe jetën e rëndë, por në anën tjetër, fare nuk kemi pasur dijen për shkeljet që janë bërë qysh në fillim dhe përgjatë procesit dhe na kanë sjellë në këtë pikë ku pastaj njerëzit ose kanë pasur barna me afat të skaduar, ose nuk kanë pasur mjaftueshëm barna, ose nuk kanë pasur mjaftueshëm para për t’i blerë ato barna”, ka shtuar Kurti.

Me qeverinë e Vetëvendosjes, ai ka thënë se përkujdesja shëndetësore për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës nuk do të varët nga thellësia e xhepit të tyre./Insajderi.com