Kurti: Politikani duhet të jetë radikal në qëndrime, jo në karakter

kurti

Deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti ka qenë i ftuar nga Universiteti Veror në Prishtinë për të ligjëruar mbi pjesëmarrjen politike dhe organizimin e një lëvizjeje politike. Kurti ka thënë se lëvizja politike i bën njerëzit të angazhuar dhe se ato lëvizje përbëhen prej njerëzve të angazhuar që u bëjnë thirrje qytetarëve për angazhim. Kjo sjell shpresën e llojit të ri që nuk bazohet në pritje por në vetë angazhimin, theksoi ai.
“Kemi parë degradimin e demokracisë përfaqësuese në demokraci elektorale. Kjo i ka shkurajuar njerëzit që të aktivizohen duke i shndërruar ata në spektatorë”, ka thënë ai. Ndërkaq, ka treguar se pjesëmarrjen e qytetarëve në jetën politike e sheh të domosdoshme. “Njerëzit duan të marrin pjesë sepse përfaqësimi po shënon mungesën e tyre. Pjesëmarrja të bën të pranishëm. Dhe, nuk ka pjesëmarrje pa lëvizje”, ka shtuar Kurti.
Ai ka shpjeguar edhe për rolin që ka organizimi i brendshëm i një lëvizjeje duke përmendur tri rreziqet më të mëdha që i kanosen asaj: lodhja, devijimi dhe dogmatizmi.
Kurse, teksa fliste për fitoret, është shprehur se idetë e drejta e të mira e bëjnë një organizatë që të fitojë. Por, ai humbjet ia atribuon organizatës. “Një lëvizje politike mund të humbas për shkak të dobësisë së organizatës, mirëpo fitorja e një lëvizjeje politike nuk bën të jetë fitore e fuqisë së organizatës por e idesë politike dhe konceptit socio-ekonomik.”
Kurti foli edhe për dallimet midis lëvizjes, partisë dhe OJQ-së duke potencuar se “Lëvizja politike ka një përfytyrim tjetër prej partisë politike sa i përket institucioneve të sistemit. Ne nuk i mendojmë institucionet e sistemit si një shtëpi me salltanet ku do të banojmë, por si mjete të reja të cilat do t’i shfrytëzojmë.”
Ndërkaq për aspektin radikal të lëvizjes politike, përveç tjerash, ai tha që “Aktivistët e një lëvizjeje politike duhet të jenë radikal për nga qëndrimi që kanë dhe angazhimi që bëjnë për temat socio-politike e jo radikal për nga karakteri i tyre personal.”
Prezantimin e tij Kurti e përmbylli me fjalinë: “Një lëvizje pa popull mbetet ASGJË. Një popull me lëvizje bëhet GJITHÇKA.”