Kurti: Me VV-në nuk do të ketë kompani të oborrit qeveritar që fitojnë tendera

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke prezantuar 40 masat e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosjes për zhvillimin ekonomik, veç tjerash tha se qeveria me VV’në do jetë llogaridhënëse.

“Ju sigurojmë se qeveria jonë do të jetë llogaridhënëse për të hyrat dhe shpenzimet, për planifikimin  dhe realizimin e tyre gjithnjë përbrenda vizionit tonë socio-ekonomik”, ka thënë Kurti.

Ai tha se deri tani në Kosovë ka pasur formulë të gabuar të zhvillimit ekonomik.

“Prodhimi bujqësor, industrial e zejtar, duhen të mbështeten nga qeveria. Socio ekonomia në Kosovë nga qeveria e deritashme ishte formulë e thjeshtë por e gabueshme. Buxheti kopjohej nga viti në vit”, ka thënë Kurti.

Ai tha se qeveria e Vetëvendosjes, do të evitojë kompanitë e oborrit qeveritar.

“Me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosjes nuk do të ketë më kompani të oborrit qeveritar të cilat vazhdimisht përfirojnë tender nga Qeveria. Shumë biznese kanë falimentuar në Kosovën e pasluftës. Ndërmarrësit duhet të sigurohen për ndërmarrësinë e tyre, lirshëm. Qeveria e VV’së do sigurojë ndërmarrësit që të jenë sa më të sigurtë në ndërmarrësinë e tyre”, ka thënë Kurti/Periskopi/