Kur polici serb kishte hequr flamurin kombëtar nga kulmi i shtëpisë shqiptare (Video)

Kosova do të shënojë dekadën e parë të pavarësisë më 17 shkurt.

Duke i paraprirë festës, një debat është nxitur mbi vendosjen e flamurit të shtetit të Kosovës në lokacionin “Te Rrethi” , ku deri tani valonte flamuri kombëtar kuq e zi.

Si pasojë e presionit të një nisme në rrjetet sociale, zyrtarët qeveritarë u vunë në veprim që të vendoset flamuri shtetëror në këtë lokacion, me gjithë kundërshtimet e shumta.

Vendimi erdhi nga Protokolli i Shtetit, që vepron në kuadër të Ministrisë së Jashtme, dhe mori mbështetjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, shkruan Periskopi.

Megjithatë, zbatimi i vendimit u bë në mënyrë të fshehur. Zhvendosja e flamurit kuq e zi për vendosjen e flamurit verdhë e kaltër, u bë mbrëmë në kohën kur kishte rënë nata mbi kryeqytet. Megjithatë, disa qytetarë ishin aty për të reaguar.

Pas këtij veprimi, reagoi Vetëvendosje, por edhe qytetarë e politikanë të shumtë.

Format e reagimit janë të shumta.

Një video që po qarkullon në rrjetet sociale është ajo e një polici serb, i cili gjatë luftës në Kosovë kishte hequr një flamur kombëtar nga kulmi i një shtëpie shqiptare, si simbolikë e pushtimit serb dhe mosdurimit ndaj simboleve kombëtare shqiptare.

Videoja ishte incizuar nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Associated Press”. /Periskopi/