“Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca është detyrë”

Shpend Godaqi

Shpend Gudaqi

Njoh edhe nga ata qe ushtrojnë dhunë fizike dhe psikologjike në familje, në shoqëri, në ambiente të punës, në shkolla, universitete e kudo tjetër që gjenden, por protestën në një vend të mbytur nga varfëria, korrupsioni e bandat e krimit të organizuar, që janë legjitimuar institucionalisht i quajnë të dhunshme. Mendoj se së pari ne kemi problem ta definojmë dhunën, e pastaj t’i klasifikojmë subjketet që ushtrojnë dhunë.

Për sa kohë që kjo shoqëri jeton në pabarazi ekstreme; për sa kohë që qytetarët përjashtohen në mënyrë arbitrare nga të drejtat e tyre për jetë dinjitoze; për sa kohë që kemi politikanë të cilët vjedhin dhe vrasin kur ti bëhesh kërcënim për ta; për sa kohë që kemi mekanizma institucionesh të instrumentalizuara nga rrjetet kriminale, unë as nga një kënd human, as nga një kënd i kritikuesit të paanshëm, e lërë më i shtyrë nga interesant ultra personale karrieriste, nuk mundem që një qytetar protestues të zhveshur nga qytetarizmi dhe të drejtat e tij ta quaj të dhunshëm.

Eshtë e qartë se në këto raste, dhuna fizike e qytetarëve të dëshpëruar me realitetin social dhe ekonomik në këtë vend, që mbulohet aq mirë dhe me aq zell nga të gjithë, ka qenë dhe do të mbetet reaksion i një dhune sistematike që nuk shihet, nuk mbulohet dhe as nuk hulumtohet nga ata që supozohet se e kanë për detyrë.

Ky mund të jetë edhe shkaktari kryesor se përse qytetarët kosovarë turpërohen, njëkohësisht edhe frikësohen nga protesta. Pasi është bërë mund dhe propagandë e madhe për ta damkosur atë si institucion demokracie, për ta demonizuar dhe për ta nxjerrë nga karakteri i saj demokratik. Ky opinion dominues për protestën në shoqërinë tonë flet se sa autoritar ose gjysëm autoritar është është regjimi në Kosovë, siç edhe na tregoi me raportin e saj organizata e pavarur për mbikqyrjen e zgjerimit të lirisë në botë “Freedom House.” Këto raporte që na alarmojnë për gjendjen degraduese, qytetari kosovar që turpërohet të protestojë nuk i shesh shpesh në media, edhe nëse i sheh ato do të jenë të pjesshme, të keqinterpretuara apo nuk i sheh fare. E njëjta ndodh edhe me raportet tjera serioze, si me atë të UNDP-së “Pulsi Publik” dhe me të ashtuquajturin “Raporti i Porgresit” të Komisionit Evropian.

Ata që gjithmonë thirren në vlera evropiane, që Evropën dhe faktorin e jashtëm me insistim e shohin si sundimtare dhe jo partnere dhe aleate, janë të njëjtit që opozitarizmin si vlerë evropiane dhe demokratike e shohin si kërcënim, që protestën si vlerë demokratike dhe evropiane e shohin si kërcënim, huliganizëm e çka jo tjetër. Janë të njëjtit që kur kërcënohen në perimetrin e mirëqenies personale e injorojnë çdo raport të BE-së, të organizatave të huaja dhe konstatim të personave me autoritet që vijnë nga vendet mike siç i quajnë ata. Mjafton të shohim disa muaj më pas për të qenë dëshmitarë të një konfrontimi të turpshëm të zëvendësministrit të jashtëm, Petrit Selimi me ish-kongresistin amerikan, Joseph Dioguardi, i cili e kishte akuzuar ministrin e jashtëm Hashim Thaçin për reket dhe korrupsion. Selimi nuk hezitoi që Dioguardin ta quaj Vuçiq dhe Gjuriq. I njëjti pak ditë më pas, ose më parë, do të gjendej në një fotografi ‘selfie’ së bashku me ministrin e jashtëm serb, Ivica Daçiq, koleg i Vuçiqit dhe Gjuriqit, së bashku me djalin e tij në mes.

Dhuna, etiketimi dhe torturimi psikologjik përmes mekanizmave të pushtetit ndaj atyre që kundërshtojnë dhe protestojnë nuk mund të kuptohet ndryshe përpos si tentim për ta kërcënuar qytetarin kosovar. Disa nga naiviteti ose qëllimet dytësore thonë se dhuna është e drejtë dhe monopol i shtetit. E vërtetë, derisa ajo dhunë përdoret për ta mbrojtur qytetarin. Por, kur ajo dhunë policore që do duhej që së pari ta mbrojë qytetarin përdoret kundër tij, automatikisht e humb legjitimitetin. Me këtë logjikë të monopolit të dhunës që e gëzon shteti ka kryer gjenocid regjimi serb në Ballkan. Me këtë logjikë ne e vëmë veten në grackë pasi me vetëdije lejojmë që një ditë edhe kjo opozitë që sot persekutohet politikisht, nesër të persekutojë kënd do që i teket kur ta ketë marrë pushtetin dhe monopolin e dhunës.

Sinqerisht, dhunën e djshme të protestuesve si reaksion duke djegur vetura e thyer xhama do të dënoja sikur të jetoja në Suedi, Norvegji apo Kanada, por jo edhe në Kosovë. Pabarazia është gjithmonë ajo që nxitë dhunë, dhe për këtë duhet të merremi me shkakun dhe jo pasojën.

Cinizmi që e dënon qytetarin për xhamat e thyer e veturat e demoluara nuk e dënon edhe dhunën dhe dëmtimin që qeveritarët ua bëjnë qytetarëve. Raportet e Policisë së Kosovës që përgaditen me shpejtësi për t’i treguar popullit se sa dëme shkaktoi edhe një protestë e mbajtur, nuk përgaditen edhe për dëmet financiare që pushteti i shkakton shtetit në 16 vitet e fundit. Krahasimi i dëmeve të Qeverisë me atë të qytetarëve janë joproporcionale dhe të pakrahasueshme.

Duke e pasur paraysh që Qeveria e posedon dhe e kontrollon aparatin institucional asaj i takojnë edhe përgjegjësitë, madje edhe kur dikush thyen objektet e tyre, prej të cilave rrallë i shohim të dalin pa mbrojtje të blinduar dhe të armatosur. Kaq keq e kanë inatosur qytetarin saqë kanë frikë prej tij.

Mendoj se kur demokracia shndërrohet në kalkulime numrash ajo nuk është më shumë se diktaturë numrash dhe përmbyset. Me logjikën e numrave janë kryer krimet më monstruoze në botë. Me logjikën e numrave ka vepruar edhe ish-diktatori gjerman, Adolf Hitler.

Dje isha dëshmitar i një dhune të paparë policore ndaj protestuesve të opozitës, ndaj kalimtarëve të rastit, ndaj një gazetari, ndaj disa studentëve që u mbështetën për muri dhe kontrolloheshin si narkodilerë. Isha dëshmitar edhe i arrestimit të një deputeteje dhe përndjekjes së tre deputetëve të tjerë. Dëshmitar i demolimit të banesës të njërit nga deputetët e opozitës, sikur ai të jetë një kriminel i nëntokës që nuk shihet kurrë dhe duhet vepruar me shpejtësi për ta vënë në pranga.

Këto metoda të një policie të politizuar nuk i shoh të zbatohen kundër kriminelëve të vërtetë që e dëmtojnë rëndë shtetin tonë. Veprimet policore nuk përdoren asnjëherë për të vënën në pranga ata që hapur e sfidojnë shtetësinë e Kosovës përmes strukturave paralele, përmes të cilave kryehen biznese të jashtëligjshme në një aspekt të gjerë. Derisa njësitet elite të Policisë së Kosovës dje torturonin qytetarë nëpër sheshet e qytetit në Prishtinë, nuk pashë që të njëjtit të ndërhyjnë ndaj një grupi serbësh në Rudar të veriut të Mitrovicës që ia prenë rrugën ministrit të financave, Avdullah Hoti i cili ishte nisur për ta vizituar Jarinjën. Madje, policia i ka rekomanduar ministrit që të kthehet prapa.

Kur e dëgjon presidentin në tentativë, Hashim Thaçi dhe kryeministrin e pafuqishëm Isa Mustafa se si zotohen se shteti i Kosovës nuk do të dorëzohet para një tufe kriminelësh, menjëherë në mendje më vijnë strukturat paralele të serbëve në veri të cilat në një mënyrë me marrëveshjet e arritura në Bruksel marrin legjitimitet. Nuk di si ndryshe do të definohej dorëzimi i shtetit para kriminelëve. Por për këta dy, grupet që nuk ua kërcënojnë personalen nuk konsiderohen kriminale. Për ta kriminelë janë ata që ua sfidojnë mbetjen në pushtet, dhe ajo është opozita, protesta, kundërshtimi e madje edhe peticioni. Janë aq të frikësuar të jenë jashtë pushtetit sa duket se për ta mbajtur atë do të përdorin çdo mjet policor për ta shtypur qytetarin. Do të përdorin çdo marifet medial, çdo analist dhe çdo institucion për ta gënjyer dhe frikësuar atë.

Ata që druhen nga ndryshimet për shkak se e kanë gjetur veten më vështirësi brenda këtij sistemi që përjashton shumicën mos të frikësohen, por të bëhen pjesë e zërit të qytetarëve. Relativizimi i gjendjeve, gjithmonë është në të mirë të atij që ka fuqinë dhe zbaton padrejtësitë. Nuk mund të jemi indiferent karshi kësaj situate. Pozicionimi politik është i nevojshëm, edhe kur e kemi ndjenjën që realisht mungon një opsion i shëndoshë politik.

Mendoj se çlirimi nga e keqja gjithmonë ka ardhur me rezistencë dhe jo duke qenë konformist. Siç edhe na mëson edhe ajo thënia e famshme e ish-presidentit të tretë të SHBA-ve, Thomas Jefferson: “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca është detyrë.”