Kujtimet e Kryeministrit: Shikoja filmat e Bruce Lees, i rrihja të gjithë shokët e klasës

Mësuesi im ishte shumë i ashpër, por ne ia patëm parë hajrin. – Kujtoj fare mirë kur arsimtari i edukatës fizike, Abdyli, ma jepte topin dhe më thoshte: “Shko nise orën se unë do të vij edhe pak”. – I kam shikuar të gjithë filmat e Bruce Lees, nga lojërat dhe luftërat e të cilit mësoja dhe frymëzohesha. – Në rininë time të hershme, pra në fillore, kam lexuar shumë literaturë shqipe. – Dua të them për herë të parë se dikur, në atë moshë, edhe kam provuar të bëhem poet.

Portali Telegrafi ka risjellur një pjesë nga intervista e Ramush Haradinajt, të botuar më 2002 në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, në rubrikën “Private” me gazetarin Agim Zogaj.

 Cila është fëmijëria juaj?

HARADINAJ: Kam lindur në fshatin Gllogjan, në një familje me gjendje mesatare ekonomike. Kemi jetuar me axhën Rasimin në një shtëpi njëkatëshe. E di se kemi mbajtur edhe dele, për të cilat edhe unë jam kujdesur që në moshën time të re. Shkollën fillore e kam filluar në fshatin Irzniq, ndërsa mësuesi im i parë ishte Miftar Çeku, një mësues i zellshëm, i cili kërkonte që ne të mësonim dhe të mos shkonim të papërgatitur në mësim. Mund t’u them, pa ndonjë modesti, se kam qenë nxënës i shkelqyeshëm. Shumë e kam dashur mësimin dhe shkollën përgjithësisht. Mësuesi im ishte shumë i ashpër, por ne ia patëm parë hajrin. Në klasë uleshim nga tre veta dhe unë zakonisht ulesha në bankën e fundit.

• A veçon ndonjë situatë, ngjarje nga ajo periudhë?

HARADINAJ: Ju thash se deri në klasën e tetë të shkollës fillore kam qenë nxënësi më i mirë në klasë, madje edhe kryetar klase, që nënkuptonte se në mungesë të mësuesit unë kujdesesha për mësime, qetësi, rend dhe rregull në klasë. Kujtoj fare mirë kur arsimtari i edukatës fizike, Abdyli, ma jepte topin dhe më thoshte: “Shko nise orën se unë do të vij edhe pak”. Pra, edhe arsimtarët e kishin një besim tek unë, sepse isha nxënës i mirë.

• Me cilat aktivitete sportive je marrë?

HARADINAJ: Që nga mosha e femijërise dhe e rinisë së hershme unë kam preferuar sportet luftarake, pra karatenë dhe xhudon. Natyrisht, nuk ka pasur mundësi që në fshat t’i ushtroja këto sporte, por sadokudo shikoja filma, dëgjoja nga dikush diçka që ushtronte ato sporte në qytet dhe edhe unë me shokët e mi ushtronim pastaj. Një nga interesimet e mia në ato vite ishte edhe filmi. Në këtë kontekst do të them se i kam shikuar të gjithë filmat e Bruce Lees, nga lojërat dhe luftërat e të cilit mësoja dhe frymëzohesha.

E RRIHJA TËRË KLASËN

HARADINAJ: Ndoshta të gjitha nga pak nga këto që ju i cekët. Po e përsëris se kam qenë nxënës i shkëlqyeshëm, por edhe kam ditur të rrahem me shokë në orët e pushimit. Më kujtohet kur vinte mësuesi Miftar për të hyrë në orë të mësimit, ne duke lozuar ashtu një mbi një, e nxirte rrypin dhe na rrahte. Shpesh më nxirte para shokëve dhe më qortonte me fjalët: pse ti Ramush, nxënësi më i mirë po rrahesh me shokë. Pra, atë kohë edhe ne nxënësit në pushime u fshihshim, u kaçamitshim, u rrakatelshim. Më duhet të pranoj se deri në klasën e tetë unë e rrihja tërë klasën time, sepse edhe ashtu isha më i rritur me trup. Bile, unë mund t’i rrihja edhe disa shokë të klasës, që ishin ngelcana…

• Kjo është koha kur ti ishe problematik…?

HARADINAJ: Po, pikërisht atë kohë isha pra edhe i lazdruar dhe nga pak problematik. Por, me filimin e vitit të parë të shkollës së mesme unë ndërrova krejtësisht dhe u bëra i urtë, i afërt, i dashur, djalë i mirë, siç e kërkonin rregullat e shkollës. Pra, tani nisa të bëhesha djalë i kulturuar. Ishte një reth i ri, një atmosferë më serioze shoqërore dhe e edukatës, ndaj edhe unë nisa t’u adaptohem rregullave të reja.

• Çka veçon nga kjo kohë? Cilët janë shokët tu, çfarë bëje ti…?

HARADINAJ: Nga aspekti i kohës së lirë, pra i aktiviteteve të lira, si hobi e kisha kalitjen fizike. Atë kohë ndihmoja familjen, pra babën që ishte shitës në shitoren e Irzniqit. Ne që në ato vite ishim një familje në sy nga pushteti, nga policia dhe ishim në përcjellje. Në gjimnaz kam qenë nxënës i mirë. Kujtoj daljen time të parë nga Kosova, për në Shkup, pra në eskurzion. Kurrë nuk i harroj ato kujtime… Në Prishtinë për herë të parë kam ardhur në një vizitë si nxënës i vitit të parë të gjimnazit. Mbaheshin garat e matematicientëve dhe ekipi i shkollës sime e zuri vendin e parë. Kësaj fitoreje ia pashë hajrin, sepse duhej të shkonim në gara të mëtutjeshme në Bullgari dhe me këtë rast më është siguruar pasaporta.

• Cilët ishin shokët tu më të mirë…?

HARADINAJ: Kam pasur dhe vazhdoj të kem shumë shokë, por varësisht sipas etapeve të jetës sime do t’i veçoj disa, duke ndjerë respekt të madh edhe për ata që nuk po i radhis për shkak të hapësirës. Gjatë kohës se shkollës fillore i kam pasur shokë Agushin, Sadriun, Avni Ahmetin, Besim Hasanin, Milazim Mushkolajn, pastaj në gjimnaz Martin Halilajn, Nikollë Kabashin…

• Pse klasën e tretë e vazhdove në Gjakovë?

HARADINAJ: Gjatë shkollimit tim në Deçan filluan të më paraqiten disa probleme, telashe dhe një ditë vendosa që të largohem për në gjimnazin e Gjakovës. Thjesht në shumë kuptime të jetës unë isha më liberal dhe ajo mënyrë e filozofisë sime jetësore nuk i pëlqente rrethit dhe veçmas regjimit. Ndodhte që në kohë demonstratash unë të mos isha në mësim dhe thjesht, krijoheshin rrethana jo të favorshme për të vazhduar shkollimin në të njëjtën shkollë.