Kuçi me para të shtetit për drekë pagoi 100 birra, 50 gota raki e 10 shishe verë

Vetëm dy ditë pasi Kosova kishte festuar 3 vjetorin e pavarësisë, ish Zëvendës Kryeministri, Hajredin Kuçi, i kishte shpenzuar nga arka e shtetit me të ri në Europë rreth 950 euro për një drekë zyrtare, ku rreth 400 euro ishin pirë vetëm në alkool e rreth 300 euro ishin shpenzuar për mish viçi.

Arsyetimi i faturës ishte bërë i shkruar me dorë në paragon, ngase mungon fatura fiskale.

Në total shkruhet se në këtë drekë janë konsumuar 100 birra, 50 gota raki, 10 shishe verë e mbi 30 porcione mish viçi.

Më 19 shkurt 2011, ishin pirë 20 birra ‘Corona’  në vlerë 60 euro; 20 birra ‘Heineken; në vlerë 40 euro; 38 birra ‘Peja’ në vlerë 57 euro; 15 birra ‘Miller’ në vlerë 30 euro.

Veç birrës, ishin konsumuar edhe 39 raki të shpisë dhe 26 raki ‘Viliamov’, në vlerë 78 euro. Në këtë faturë janë edhe 11 litra verë e llojit ‘Pro Corde’ në vlerë 112 euro.

Veç alkoolit, janë pirë edhe 100 shishe ujë, në vlerë  62 euro. E veç ujit, edhe lëngje të pemëve 42 euro, ‘Coca Cola’ 33 euro e Shchweppes 25 euro, në total për pije jo alkolike 100 euro.

Por, kjo faturë përmban edhe ushqim, mish viçi, sallatë, speca e edhe ëmbëlsira.

36 porcione mish viçi i kishin kushtuar arkës së shtetit 270 euro; 36 sallata në vlerë 90 euro; 36 ëmbëlsira në vlerë 36 euro dhe 11 speca në vlerë 23 euro.

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjsë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.