Kryeziu: Hedh poshtë akuzat e PDK-së për punësime në Komunën e Prishtinës

Nexhat Kryeziu, kryeshef ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore në Komunën e Prishtinës, e cila së fundi është bërë shkas i përpjesëve të ashpra mes Vetëvendosjes dhe Degës së PDK-së në Prishtinë, ka qenë i ftuar në Interaktiv të KTV-së.

Aty, Kryeziu nuk e ka mohuar se nga të punësuarit në këtë Ndërmarrje të ketë aktivistë të Vetëvendosjes, por ka mohuar se ata janë favorizuar në këtë aspekt.

Kryeziu, që vetë ka qenë kandidat i Vetëvendosjes për deputet në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit, ka thënë se të gjithë ata që janë pranuar në këtë ndërmarrje i plotësojnë kushtet për të punuar aty.

“Askush nuk është larguar nga puna. Punësimet janë bërë për të kryer punë në kuadër të planit tonë të menaxhimit të Ndërmarrjes”, ka thënë Kryeziu.

Ka folur edhe për zëdhënësen e Ndërmarrjes.

“Zëdhënësja ime i ka dy fakultete, dhe i ka plotësuar të gjitha kushtet formale për t’u punësuar në këtë pozicion”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka thënë se lista e propozuar sot nga PDK-ja ka shumë gabime, ngase siç ka thënë ai, janë përmend edhe emra të personave me aftësi të kufizuara të cilët nuk janë në Vetëvendosje, e që u janë përmendur emrat në këtë listë.

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prishtinë, sot ka bërë publik, siç ka thënë, emrat e militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje të punësuar në Ndërmarrjen Publike Banesore të Prishtinës.

Kryeziu ka thënë se nuk po arrin t’i kuptojë kritikat për punësime të të rinjve.

“Unë nuk po i kuptoj se si po thonë pse po punësohen njerëzit, të rinjtë. A po duan që t’i shohin vetëm në rrugë”, ka thënë ai.