Kryetarja e AGK-së thërret gratë: “28 nëntori 2015 – Ejani të gjithë!”

AAK-aleanca e gruas

Tanimë jam e bindur se shumica e qytetarëve, të cilët në fillim mund të kishin dyshime lidhur me kundërshtimet që AAK së bashku me VV dhe Nismën po i bënin marrëveshjeve të dëmshme, janë bindur se këto marrëveshje duhet ndalur, u drejtohet grave të AAK-së kryetarja e Aleancës së Gruas të Kosovës – AGK, Magbule S. Shkodra.

Paramendoni situatën sikur mos të kishim kundërshtuar këto marrëveshje. Qeveritarët do të vazhdonin pa kurrfarë përgjegjësie morale, për fjalën publike të paktën, t’u hidhnin hi syve të qytetarëve duke i gënjyer se çdo gjë është në rregull, transmeton Koha.net.

Qytetarët nuk janë injorantë, por të lodhur nga varfëria, nga kushtet e vështira të mbijetesës me të cilat ballafaqohen, besojnë atë që dëgjojnë e u servohet nga ata që udhëheqin vendin. Pas një të kaluare të freskët, kur po torturoheshim nga pushteti i Millosheviqit, qytetarët janë të prirë të besojnë se tani jemi në duar të “sigurta”, në duar të njerëzve tanë të cilët në asnjë mënyrë nuk do të bënin kompromis me ndonjë gjë që do të mund ta rrezikonte edhe njëherë të ardhmen e fëmijëve tanë. Nuk i fajësoj qytetarët, sepse kur prioritet të bëhet mbijetesa, kur në rast se je i sëmurë dhe nuk ke mundësi financiare – vajhalli për ty, kur nëse nuk arrin të paguash energjinë elektrike menjëherë shkyçesh dhe varfërisë tënde i shtohet obligimi +50 euro për rikyçje; kur fëmijët përfundojnë studimet dhe, ose ende nuk kanë njohuri të mjaftueshme për të argumentuar atë cope letër të quajtur “diplomë”, ose kanë njohuri, por e kanë të pamundur për të gjetur ndonjë punë në profesionin e vet, kur nga muaji në muaj ia del vetëm falë ndonjë ndihme nga ndonjë familjar, kur kredia të bëhet qellim jete pasi mospagesa e saj të qet në fund të pusit dhe humb edhe atë pak paluajtëshmëri që ke arritur ta sigurosh; kur nevoja për te denoncuar ndonjë padrejtësi të largohet, sepse rastet e pazgjidhura dhe drejtësia selektive të detyrojnë që as të mos provosh, kur arrestohen të zgjedhurit e popullit për arsye se po i dalin në mbrojtje vendit… edhe sa e sa gjëra të tjera do të mund të numëroja…

Që nga nënshkrimi i marrëveshjeve jemi bërë robër të emisioneve të ndryshme për të dëgjuar argumentet “pro” dhe kundër marrëveshjeve të Brukselit. Gjatë kësaj periudhe tremujore, që nga nënshkrimi i marrëveshjeve, nuk kam dëgjuar ndonjë përfaqësues të pozitës të argumentojë, ama me fakte, se këto marrëveshje nuk janë të dëmshme. Në anën tjetër opozita vazhdimisht në debate të ndryshme argumentonte me fakte dëmin që po i shkaktohej Kosovës me anë të demarkacionit dhe krijimit të asociacionit të komunave serbe.

Në një mënyrë i arsyetoj qytetarët që mund të kenë qenë konfuz për të arritur deri te e vërteta, pasi që propaganda e madhe që pushteti bënte në hapësirat dhe në portalet të cilat në mënyrë direkte apo indirekte i dirigjon ose i ka në pronësi, ua pamundëson këtë.

Një gjë nuk e kam të qartë dhe vështirë e kam ta arsyetoj se kaq e vështirë qenka kjo për Isa Mustafën dhe këshilltarët e tij?! A duhet që patjetër të gjithë ne të dalim në rrugë që Isa Mustafa të thërret zërin e arsyes dhe të paktën t’i thotë vetes: Ndal, një moment dua të mendoj, se ndoshta diçka nuk është në rregull! Çfarë përgatitje shkollore duhet të kesh që të lexosh këto marrëveshje dhe të kuptosh se janë të dëmshme për Kosovën, të dëmshme për ardhmërinë e fëmijëve tanë. Apo, interesi personal dhe tregtimi i ndonjë marrëveshje për mosndjekje penale ndaj tij ose partnerëve të koalicionit i ka verbuar. Po ua rikujtoj një thënie se: Drejtësia mund te vonojë, por jo të harrojë!

Në një shtet të mirëfilltë demokratik, ku niveli i përgjegjësisë është diçka bazike për një shoqëri funksionale, këto çështje tanimë do të ishin harruar.

Por, Kosova nuk është një shtet i tillë. Prandaj kundërshtimi i marrëveshjeve me anë të gazit lotsjellës, më anë të protestave ka shans që të ndalë këto dy marrëveshje të dëmshme. Mos të kishin qenë këto masa kundërshtimi, qytetarët të lodhur nga hallet e veta, do të vazhdonin të besonin propagandën e Qeverisë. Kur është në pyetje sovraniteti dhe funksionimi i shtetit nuk besoj se duhet të analizohen mjetet. Çdo gjë që bëhet për mbrojtje të vendit dhe në interes të publikut në asnjë mënyrë nuk mund të gjykohet, arrestohet, ndiqet, rrahet…..!!!!

Para disa viteve një agjent apo siç i quajnë “whistleblower” në një nga vendet e BE kishte thyer betimin për ruajtjen e sekretit shtetëror lidhur me një veprim të shërbimit sekret, dhe më vonë ishte liruar nga çdo akuzë, sepse ishte vërtetuar se veprimi i tij kishte shërbyer në të mirë të publikut/qytetarëve. Prandaj dua të ritheksoj se çdo veprim i deritanishëm i partive opozitare nuk mund të gjykohet pasi ato të gjitha janë në të mirë dhe shërbim të publikut/qytetarëve të Kosovës.

Pasi që ende nuk ka reflektim të Qeverisë besoj se qytetarët e Kosovës nuk do të hezitojnë që më 28 nëntor të jenë pjesë e manifestimit për kundërshtim të marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën. Bashkohuni të gjithë se vetëm kështu Qeveria do ta kuptojë seriozitetin e qytetarëve për të penguar këtë të keqe vendit.

Ejani të gjithë! – përfundon shkrimi i kryetares së AGK, Magbule S. Shkodrës.