Kryeministri e punëson pa konkurs kunatën e tij në BQK

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka punësuar në BQK pa konkurs Vjosa Muçaj-Ademin, motrën e gruas së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. ORAinfo merr vesh se Muçaj-Ademi në BQK është punësuar me kontratë mbi vepër dhe pritet shumë shpejt t’i shpallet konkursi. BQK ka tentuar që ta mbaj sekret punësimin e kunatës së kryeministrit.

Shkruan: Agon Sinanaj

Punësimet politike të partive në pushtet nuk po e kursejnë as Bankën Qendrore të Kosovës. Menjëherë pas emërimit guvernator në BQK, Fehmi Mehmeti ia ka kryer një favor kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj.

Ka punësuar në BQK pa konkurs Vjosa Muçaj-Ademin, motrën e gruas së kryeministrit Haradinaj, shkruan ORAinfo.

ORAinfo mëson përmes burimeve të sigurta në BQK se Muçaj Ademi në BQK është punësuar me kontratë mbi vepër, praktikë kjo jo shumë e njohur për një institucion si Banka Qendrore e Kosovës.

“Shumë shpejt pritet t’i shpallet konkursi për punësim të rregullt”, ka thënë për gazetën burime të afërta me ketë proces.

Gazeta ka kërkuar për më shumë se një javë nga Zyra për informim e BQK-së që ta sqaroj statusin aktual të kësaj kandidateje, por kjo nuk ka ndodhur. Fillimisht ky institucion përmes emailit ka kthyer përgjigj se personi në fjalë nuk është e punësuar në Bankën Qendrore të Kosovës, me arsyetimin se nuk është në listën e pagave.

Por pas insistimit të gazetës zyrtarët të BQK-së kanë thënë jo zyrtarisht se Muçaj-Ademi në BQK është e punësuar me kontratë mbi vepër dhe se pyetjet e gazetës kanë qenë të drejtuara vetëm për personat që janë në listën e pagave.

ORAinfo mëson se Muçaj-Ademi para se të hyjë në BQK ka qenë e punësuar në sektorin bankar, në njërën prej bankave komerciale. Ajo është motra e Anita Muçaj, gruas së kryeministrit. /ORAinfo/

Vazhdon nga nesër: Cilat janë punësimet tjera politike në BQK? Si tentoi BQK t’i fsheh punësimet?