Kryeministër me ‘Pronto-n’

Ramush Haradinaj brenda natës ka pësuar metamorfozë të çuditshme. “Vijat e kuqe” i ka shkelur dhe ka pranuar të bëjë koalicion me PDK-në, të cilën deri dje e akuzonte për të gjitha të këqijat që kanë ndodhur në këtë vend. Tashmë ai është kandidat i “Klanit Pronto”, siç e quanin bashkëpartiakët e tij për kryeministër

Dy partitë opozitare AAK e “Nisma”, të cilat iu bashkuan PDK-së të martën mbrëma, rrezikojnë të humbasin më së shumti nga marrëveshja e koalicionit.

Liderët e të dyja partive, Ramush Haradinaj nga AAK-ja dhe Fatmir Limaj nga “Nisma”, kishin vendosur “vijat e kuqe” për partinë e Veselit, por në momentin e fundit i kanë shkelur dhe kanë pranuar të bëjnë koalicion me PDK-në, të cilën deri dje e akuzonin për të gjitha të këqijat që kanë ndodhur në këtë vend.

Analistët politikë po parashohin se kandidati i caktuar për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-“Nismë”, Ramush Haradinaj, nuk e ka të sigurt nëse do ta marrë postin e të parit të ekzekutivit, edhe po që se ky koalicion i fiton zgjedhjet.

Sipas të cilëve po që se koalicioni nuk fiton shumicën absolute në Kuvend duhet të rihapë negociata të reja, veçmas për postin e kryeministrit, shkruan tutje “Zëri”.

Nga ana tjetër, përfaqësues të PDK-së dhe AAK-së konsiderojnë se të dyja palët kanë “sakrifikuar” për të mirën e vendit.

Nga ana tjetër edhe vetë lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se vendimin për t’u mos nominuar për kryeministër e ka marrë për interes të qytetarëve. Me këtë rast Veseli është zotuar se do të punojë për të ardhmen e Kosovës.

“Do të punojmë bashkërisht për ndërtimin e vendit. Koalicioni nuk është kundër askujt, por për Kosovën perëndimore”, ka potencuar ai.