Krasniqi preferonte koalicion me Vetëvendosjen, tash nuk është as kandidat

Jakup Krasniqi, kryetar i Këshillit Kombëtar të NISMA për Kosovën, gjatë një interviste për gazetën Zëri ka deklaruar se për të më i logjikshëm do të ishte koalicioni parazgjedhor me Vetëvendosjen sesa me PDK-në, por sqaron se një bashkëpunim i tillë nuk është varur nga ai.

“Për mua do të ishte më i logjikshëm koalicioni parazgjedhor me lëvizjen Vetëvendosje, por kjo nuk është varur nga unë. Ky koalicion kishte mundësi që të bëhej, por pati veprime politike për grabitje të anëtarëve brenda opozitës dhe kjo prishi shumë punë”, ka sqaruar Krasniqi.

Ish-kryeparlamentari i Kosovës ka deklaruar se bashkë me Fatmir Limajn e braktisën vite më parë PDK-në, pasi që, siç thotë ai, kishin probleme me keqqeverisjen e Hashim Thaçit, në atë kohë kryeministër i vendit, e jo me partinë dhe anëtarësinë e saj.

Ai ka folur edhe për përgjimet telefonike të aferës “Pronto”, ku Krasniqi dhe Limaj fyheshin rëndë nga drejtues të PDK-së dhe thotë se vesi i veprimeve të prapashpinës veç sa është perfeksionuar.