Krasniqi: Partitë që injorojnë rininë s’kanë të ardhme

Albert_krasniqiAlbert Krasniqi i KDI-së ka bërë një analizë me të dhënët që më parë i kishte bërë IFES Kosova, në lidhje me pjesëmarrjen e të rinjve në zgjedhje.

Ka thënë se në katër palë zgjedhjet e fundit të mbajtura në Kosovë, pjesëmarrja e votuesve të rinj (18-21 vjeç) ka qenë më e madhe edhe sasa pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhje edhe në raport me të gjitha grupmoshat e tjera.

“Kjo pjesëmarrje e votuesve të rinj ka lëvizur prej 50% deri në 56%, e që potencialisht bëhet fjalë për rreth 80 mijë vota. Partitë politike që injorojnë potencialin e votuesve të rinj nuk kanë të ardhme”, ka thënë Krasniqi.

Përndryshe, organizata ku punon Krasniqi ka publikuar dje një hulumtim që ka pyetur 1200 të rinj të moshave 17-21 vjeç.

Sipas këtij hulumtimi, interesimi për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhme parlamentare është treguar i lartë tek të rinjtë, ku 76.1% janë shprehur të interesuar për të votuar, raporton Koha.net. Programi politik, lista e kandidatëve dhe historiku i partisë del të jenë ndër faktorët përcaktues për të votuar një subjekt politik.

Në këtë drejtim, të rinjtë ndërmjet moshës 17 dhe 21 vjeçare kanë deklaruar se nëse zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbaheshin nesër, do të votonin për këto parti politike: Lëvizja VETËVENDOSJE! 27%; Partia Demokratike e Kosovës (20%); Lidhja Demokratike e Kosovës (13%); Aleanca Kosova e Re (7%); Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (7%), Nisma për Kosovën (3%) si dhe Lista Serbe (3%).

Një numër i madh i të anketuarve prej 18% kanë refuzuar të përgjigjen në pyetjen se për cilën parti politike do të votonin në zgjedhjet e ardhshme.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kryer një hulumtim të opinionit publik në mesin e votuesve të rinj nga mosha 17 deri 21 vjeçare. 17 vjeçarët ndonëse nuk kanë të drejtë vote në këtë kohë, ata do të mund të votojnë në zgjedhjet që sipas afateve ligjore janë përcaktuar të mbahen më 2018.

Hulumtimi është zhvilluar nga data 26 nëntor deri më 9 dhjetor, si dhe ka përfshirë 1,200 respodentë, prej tyre 50.3% vajza dhe 49.7% djem. Për të përfaqësuar shpërndarjen e popullatës në bazë të etnisë dhe vendbanimit, 71.9% e të anketuarave janë shqiptarë, 16.7% serbë dhe 11.4% të tjerë, ndërsa 52.7% në zonat rurale dhe 47.3% në zonat urbane. Marzha e gabimit është +- 2.74%.