Krasniqi: Mustafa foli me gjuhën e “Bali Katravellës”

jakupkrasniqiIsh kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka komentuar intervistën e mbrëmshme të kryeministrit Mustafa, teksa e ka cilësuar si gjuhë e “Bali Katravellës”, atë që Mustafa e tha kur foli për aksionin e Vetëvendosjes në Prapashticë.

Krasniqi ka thënë se “për herë të parë i erdhi mirë që dështoi VLAN-i”.
Fjalorin e Mustafës e ka cilësuar si “formë e komunikimit me opinionin publik, mund të ngjasojë vetëm me gjuhën e despotëve aziatikë te mesjetës së hershme”

Ky është shkrimi i plotë i Krasniqit:

“SULM” ME PANKARTA NË PRAPASHTICË?!

Mbrëmë në RTK ishte Isa Mustafa. U përpoqa goxha shumë që ta kuptoja: në çfarë cilësie po fliste ai, si Kryeministër, si lider i partisë, si kapabandë apo si kryefamiljar?! Ai, kur foli për “sulmin” në pronën e tij në Prapashticë me pankartën e vullnetarëve të LVV-së, përveç që ishte kërcënues nuk ishte i bindshëm. Sulmi nuk behet me një pankartë simbolike: “shite pronën tënde e jo Kosovën”. Gjuha që zgjodhi ai edhe në emision nuk ishte gjuhë intelektuali apo akademiku, gjithsesi as gjuhë e të parit te ekzekutivit të vendit. Ishte tepër e përafërt me gjuhën e komentuesve anonim të portaleve. Foli me gjuhën e Bali Katravellit. Nuk kishte si mos të me vinte keq, madje tepër keq, pasi ai është Kryeministër i Republikës së Kosovës. Për herë të parë me erdhi mirë për historinë e dështuar të VLAN-it! Se as ai koalicion nuk do të kishte fat tjetër nga ky i tashmi. Me ketë brumë nuk mund të bëhet buka simite.

Ajo që mund të thuhet për ketë njeri në këto momente është se, ky farë akademiku, foli para opinionit publik me fjalorin e zyrtarit të plotfuqishëm të para 26 viteve. Harroi se nga ajo kohë e deri më tani ka rrjedhur shumë ujë, është derdhur shumë gjak, janë humbur shumë jetë, kanë ndodhur shumë ngjarje që sistemi i dashur i tij, te futej në muzeun e vjetërsirave. Është fatkeqësi, por të tillët, mund të i mbijetojnë politikës vetëm ke shqiptarët. Vetëm tek ne shqiptarët mund te riciklohen dështaket dhe shkatërruesit e vendit të vet?! Dhe kjo nuk është hera e parë, të shpresojmë që të jetë e fundit?!

Nuk e di, ky njeri a e ka ndonjë këshilltar apo ndonjë bashkëpunëtor partiak që e ka guximin për t’i thënë: koqit pak, se kjo formë e komunikimit me opinionin publik, mund të ngjasojë vetëm me gjuhën e despotëve aziatikë te mesjetës së hershme. Kjo gjuhë nuk ka asgjë të përbashkët e më asgjë me shoqërinë demokratike e shtetin ligjor dhe aq më pak me rrugën e integrimeve Veri-atlantike. Diktatorët lindin vetëm aty ku ka shumë vetë nënshtrim e pak reagim qytetar. Aty ku të gjitha kërkesat politike janë reduktuar, si të gjendet një vend pune në administratën e shtetit. Kjo gjuhë është e mjaftueshme që të mobilizohen partitë opozitare me gjithë mendimtarët opozitar të shoqërisë shqiptare, që ta krijojnë Frontin e përbashkët opozitar për ta shpëtuar demokracinë, shtetin ligjor dhe perspektivën e qytetarëve tanë. Pa u krijuar ky fron, mos të presim ndryshime pozitive. Këta që e kanë krijuar ketë realitet, nuk mund ta ndryshojnë dot. Vetëm përkeqësimi është i mundur dhe i pritshëm.

Nëse në rastin tonë e shtrojmë një pyetje: A e rrezikuan aktivistët e VV-së familjen e Kryeministrit? Përgjigjja më e shkurtër është Jo e Madhe. Është e vështirë për t’u besuar se ata paskan rrezikuar dike nga familjarët e tij me simbolikën që e përdoren. Ndërsa, është fakt se Kryeministri dhe ekipi i tij i bisedimeve komprometuese me palën serbe në Bruksel, janë duke e rrezikuar të ardhmen e çdo qytetari te Republikës së Kosovës, përfshirë këtu edhe fëmijët e tyre. Kjo është e vërteta. Pra, zoti Mustafa, është e vështirë që të mbulohet e pa mbuluara e një “marrëveshje” te keqe (ndonëse marrëveshja e duhur nuk po duket në horizont), me “sulmin” e vullnetarëve të VV-së me pankarta në Prapashticë?! Mbase ti je prekur shumë pse të paskan thënë: “Shite pronën tende e jo Kosovën”! Ju jeni aty për të menaxhuar me pronën kombëtare e publike për interesin e qytetarëve të Kosovës e jo për interesat e të tjerëve, kushdo qofshin ata apo të familjarëve. Mos u fshihni pas aleatëve e partnerëve perëndimor?! Ata nuk i keni krijuar ju.

Krejt nga fundi i emisionit, ai, Kryeministri i Kosovës, në vend që t’i kërkonte falje VV-së dhe opinionit publik për fjalorin e tij denigrues dhe te djemve të tij të rritur për tenderë, ai i kërkoi falje Gomarit?! Veç nuk munda ta kuptojë, Kryeministër i kujt është ai?!