Krasniqi i VV-së kërkon veprim urgjent nga komuna në luftën kundër rriqrave

Derisa në Malishevë nga të dhënat zyrtare të QKMF-së, thuhet se ditëve të fundit janë rritur dukshëm rastet e pickimeve nga rriqrat dhe si pasojë është shtuar edhe rreziku për qytetarët të cilët mund të infektohen me ethe hemorragjike. Për këtë situatë ka reaguar edhe asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Malishevë, Alban Krasniqi, i cili ka bërë të ditur se edhe në seancën e fundit të Kuvendit Komunal ka ngritur shqetësimin  lidhur me rrezikun dhe pasojat e rriqrave.

Po ashtu, Krasniqi ka thënë se është  “urgjente që të organizohet takim i përbashkët ndërmjet Këshillit ndërministror për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike dhe përfaqësuesve të komunës së Malishevës, përfshirë përfaqësuesit e Kuvendit Komunal ku diskutohet ky problem dhe dalin hapat dhe masat konkrete që duhet ndërmarrë, e që duhet të përfshihen sa më parë dhe sa më shumë qytetarët”.

Më poshtë keni reagimin e plotë të z. Krasniqi:

KOHA PËR VEPRIM URGJENT…SA NUK ËSHTË BËRË VONË

Derisa në Malishevë po rritet numri i të pickuarve nga rriqërat, po shtohet edhe rreziku nga pasojat. Këtë çështje e kam ngritur edhe në mbledhjen e djeshme të kuvendit komunal.

Është mëse urgjente që të organizohet takim i përbashkët ndërmjet Këshillit ndërministror për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike dhe përfaqësuesve të komunës së Malishevës, përfshirë përfaqësuesit e Kuvendit Komunal ku diskutohet ky problem dhe dalin hapat dhe masat konkrete që duhet ndërmarrë, e që duhet të përfshihen sa më parë dhe sa më shumë qytetarët.

Strategjia e miratuar vite më parë ka mbetur dokument në letër i pazbatuar, dhe si niveli lokal ashtu edhe ai qendror nuk e kanë më fare në fokus sepse janë përqendruar në prioritete të lidhura me tenderomani.
Kjo strategji duhet të rishikohet dhe rishqyrtohet, si dhe të kthehet në fokus të vëmendjes zbatimi i saj.

Arsyetimeve monotone të komunës, se Këshilli ndërministror është përgjegjës u ka ardhur fundi sepse vet nënkryetari Hajdin Berisha është pjesë e këtij Këshilli.

Në rast të ndonjë vdekje eventuale nga rriqërat (që uroj të mos ndodhë), institucionet lokale dhe qendrore duhet të konsiderohen si fajtorët kryesorë sidomos aty ku me mosveprimin e tyre kanë lejuar të ndodhë një gjë e tillë.

https://www.koha.net/kosove/97842/malisheva-me-e-rrezikuar-nga-rriqrat-me-540-te-pickuar/