KQZ, më shumë pengon sesa mundëson votimin e mërgatës

Anëtari i KQZ-së nga radhët e VV-së, Adnan Rrushtemi, përmes profilit të tij në Facebook, ka reaguar pas refuzimit që KQZ i ka bërë kërkesës së këtij subjekti për shtyrjen e afatit të aplitkimit të mërgimtarëve për zgjedhjet e 11 qershorit.

Ai ka thënë se për KQZ-në, njëjtë sikurse për qeveritë e deritanishme, shtetasit e Republikës që jetojnë jashtë vendit nuk ekzistojnë.

“Mërgata, për këta ekziston vetëm sa për t’u shfrytëzuar dhe plaçkitur, por jo edhe për t’ua njohur dhe mundësuar të drejtën kushtetuese dhe ligjore, siç është e drejta e votës”, ka shkruar Rrustemi.

Sipas tij, për KQZ-në dhe Valdete Dakën, në mënyrë identike si për PDK-në, mërgata paraqet një problem që sipas tyre duhet të zgjidhet, duke i eliminuar si shtetas, si votues dhe si vullnet.

“Preokupimi i tyre është që të gjejnë mënyrat më të sofistikuara dhe më efikase që e mundësojnë eliminimin politik të mërgatës, ndërsa në anën tjetër janë në kërkim të kanaleve të kundërligjshme për të pranuar aplikacionet e falsifikuara dhe të fabrikuara nga Serbia. KQZ, këtë po e bënë, duke mos realizuar asnjë aktivitet të informimit të votuesve jashtë vendit për mënyrën e regjistrimit dhe të votimit, sabotimin përmes rënies së serverit, bllokimit të email adresave, moskthimin e njoftimeve konfirmuese për statusin e aplikimit, e deri tek përpjekja për të mos e zgjatur periudhën e regjistrimit, qoftë edhe për 24 orë si kompensim për të gjithë ata që nuk kanë arritur t’i dërgojnë aplikacionet apo u kanë kthyer mbrapshtë si pasojë e papërgjegjësisë së KQZ-së”, u shpreh ai.

Në fund Rrustemi ka thënë se kjo fushatë kundër pjesëmarrjes së mërgatës në zgjedhje, në fakt është fushatë e pashpresë për ta ruajtur PDK-në nga theqafja e pashmangshme.

“Këta zëra pengues do të heshten gjithsesi më 11 qershor, por deri atëherë ju ftoj të që mobilizoheni për t’u bërë pjesë e këtij çasti historik të ndryshimit, duke u regjistruar si votues përmes postës dhe pse jo duke ardhur direkt në Kosovë në ditën e zgjedhjeve”.