KQZ-ja pranon rreth 2 mijë aplikime nga diaspora për të votuar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më sot ka pranuar rreth 2 mijë aplikime nga diaspora për të votuar në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.

Kështu bëri të ditur sot në mbledhjen e KQZ-së Enis Halimi, kryeshef i SKQZ-së.“ Deri më tash, rreth orës 13 kemi bërë prerjen, kemi pranuar 1716 aplikacione, nga të cilat 1437 janë aprovuar, 219 e kanë statusin të pezulluar në mënyrë që kushtimisht themi as të pranuar as të refuzuar por në pritje për t’u plotësuar dokumentacioni, 1 aplikues është refuzuar dhe 118 aplikacione janë të ashtuquajtura pa status të cilat janë duke i rivlerësuar dhe duke u riproceduar në të njëjtën kohë” , tha ai.

Ai njoftoi KQZ-në se aktualisht është duke u zhvilluar procesi i krijimit të Listës Votuese e cila bazohet në ekstraktin e Regjistrit Qendror Civil si dhe tregoi se janë më pak se 5 mijë votues me dokumente të skaduara të identifikimit dhe se ky numër po zvogëlohet çdo ditë e më shumë.Anëtar i KQZ-së , Betim Gjoshi, tha se votimi jashtë vendit është duke shkuar mirë si proces si dhe u shpreh se ata që dëshirojnë të votojnë nga diaspora kanë të drejtë aplikimi deri më 22 Maj.  “ Për mua është në rregull që ora 12 e natës të datës 22 të jetë afati i fundit por edhe ne do të jemi të shpejtë që mos me i vonu në kthimin e përgjigjeve, besoj që është duke u punuar paralelisht me iu kthy përgjigje atyre që kanë aplikuar deri më tash suksesshëm që mos me u vonu me zënë afatin e votimit”, u shpreh ai.

Në këtë mbledhje u shtrua edhe çështja e identifikimit të personit që voton.Anëtari I KQZ-së Adnan Rrustemi tha se është e domosdoshme që të dhënat që përmban karta e identifikimit të votuesit duhet të jenë identikisht të njëjta me Listën Përfundimtare e Votuesve.Sipas tij, po identifikohet edhe një problem në përzierjen e dokumenteve të vlefshëm  të identifikimit për shkak se sipas tij,  votuesit me kartelë të refugjatit nuk do të duhej të votonin brenda vendit.“ Nëse je refugjat ti nuk je këtu, kjo vlen për votuesit jashtë vendit. Ligji dhe ligjvënësi i ka rendit në të njëjtin vend për shkak që i rendit dokumentet e identifikimit në tansi për të drejtën e votës por, praktika i ndan ata që janë me karta të refugjatëve dhe me kartela të personave të zhvendosur e përdorin për me votu nga jashtë vendit se nuk munden me votu brenda vendit kur nuk janë këtu, nuk ka logjike kjo”, u shpreh Rrustemi.

Ndryshe, në mbledhjen e së enjtes KQZ-ja legjitimoi me anë të votimit fletëudhëzimin e njëjtë që është përdorur në zgjedhjet e fundit.