Kosova pa viza falë humorit të Haradinajt

Liberalizmi i vizave është temë që ngjallë kureshtje për qytetarët e Kosovës, kjo pasi që ka kohë që është duke u premtuar që do të ketë lëvizje të lirë drejt shteteve të Evropës. Por, që nga viti 2015 liria e lëvizjes së lirë është duke u bllokuar nga marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi.

U mendua se Janari do të ishte zgjidhje për këtë problem, por sipas ritmit të punës së Qeverisë dhe Kuvendit, kjo marrëveshje është duke u lënë pas dore.

Largimin e fajit nga supet, e ka bërë kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Vjosa Osmani, e cila thotë se materiali është proceduar brenda afatit ligjor te Kryesia e Kuvendit.

“Komisioni e ka proceduar materialin më 16 janar, pra brenda afatit ligjor. Tani është në kompetencë të kryesisë të vendosë për datën e seancës plenare ku do të shqyrtohet Marrëveshja”, ka deklaruar Vjosa Osmani.

 

Mirëpo edhe pse kjo marrëveshje ka dy javë që është proceduar për Kuvend, seanca e sotit nuk e ka në rend të ditës.

Për çështjen e Demarkacionit, vizitë në Kosovë për muajin janar ishte paraparë edhe nga Kryeministri i Malit të Zi.

Mirëpo, Gazeta Express ka mësuar se Markoviq do të vizitojë Kosovën në shkurt.  Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, pritet ta vizitojë Kosovën. Ai do të qëndrojë në Prishtinë më 6 shkurt. Lajmin për Express e kanë bërë të ditur edhe nga kabineti i kryeministrit Haradinaj. Ata bëjnë të ditur se vizita është e konfirmuar tashmë dhe po bëhen përgatitjet për këtë takim

Vizita e kryeministri malazez në Kosovë, e paralajmëruar për më 6 shkurt, nuk po shihet si shpresë për t’i dhënë epilog çështjes së kufirit me Malin e Zi. Zgjidhja e shënimit të kufirit është vetëm në duart e shefit të ekzekutivit kosovar Ramush Haradinajt. Kështu e sheh krejt këtë situatë njohësi i rrethanave politike në vend dhe rajon Shkëlzen Maliqi.

Njohësi i mirë i rrethanave politike në Kosovë dhe në rajon Shkëlzen Maliqi e ka komentuar për Gazetën Express lajmin se kryeministri malazez ka pranuar që të vijë në Kosovë me ftesë të Haradinajt. Por, sipas tij, është e padrejtë të pritet që çështjen e demarkacionit ta zgjidhë vizita e Markoviqit, pasi që atë punë e ka në dorë vetëm kryeministri i Kosovës. Thënë më konkretisht, për t’u zgjidhur kjo çështje, e cila paraqet një nga pengesat më të mëdha për proceset integruese të vendit, nevojitet një ndryshim i qasjes nga ana e Qeverise së Kosovës.

“Me 6 shkurt do të mund të sqaroheshim me Malin e Zi duke e pranuar ratifikimin e marrëveshjes për kufi të vitit 2015, gjë që Mali i Zi e ka bërë, kurse formula e zbutjes, e një kompromisi të pranueshëm për Podgoricen do të ishte atë për të cilën po punojnë këto ditë deputetët e Nismës dhe të AKR-së, që korigjimet eventuale të kufirit me Malin e Zi të bëhen gjatë  shënimit të vijës kufitare që do të duhej të bëhet në një afat prej dy vitesh pasi që ajo të ratifikohet”, ka vlerësuar Maliqi.

Marrëveshja e vitit 2015, e të cilën, sipas tij, e ka keqinterpretuar opozita kosovare, është në njëfarë dore akt i marrëveshjes se dy shtetet, Kosova dhe Mali i Zi, pajtohen se kufiri mes dy vendeve duhet të jetë ai i vitit 1989, në bazë të kushtetutës së fundit valide të ish-federatës së Jugosllavisë. Kurse, thekson Maliqi, “shënimi i vijës kufitare edhe në marrëveshje parashihet te bëhet më vonë, dhe gjatë këtij procesi të dy vendet mund ts shtrojnë kërkesa për korrigjime, si një proces legjitim i dy vendeve sovrane”.

Tutje, Maliqi thekson se nëse ky procedim argumentohet mirë para kryeministrit të Malit të Zi, ai mund të japë pëlqim parimor për këtë, dhe të dy palët do të kenë kohë të mjaftueshme që të analizojnë problematikën dhe të zgjidhin çështjen në frymën e fqinjësisë së mirë.

“Unë e kam kujtuar shume herë opinionin në Kosovë se edhe nga ana e Malit të Zi, konkretisht nga komuna e Plavës, ka pasur kërkesa per korrigjim të vijës kufitare të konstatuar me marrëveshjen e vitit 2015, sepse shpati perëndimor i bjeshkës se Hajles është konstatuar se i takon Kosovës, edhe pse komuna e Deçanit e ka qasjen e vështirësuar në këtë zone, ndërkaq ajo për Plavën është një zone me interes te madh për pylltari, turizëm, ekonomi dhe gjueti”, ka thënë ndër tjerash Maliqi.

Ai ka dhënë edhe një shembull ku, sipas tij, Kosova mund të tregojë gatishmëri për korrigjim, duke kërkuar që i njëjti parim të aplikohet edhe në zonat lindore dhe juglindore të Çakorrit dhe Kullës, ku Kosova pretendon se ato duhet t’i takojnë Kosovës.

“Për këtë besoj se edhe kryeministri i Malit te Zi do të ketë mirëkuptim, por kushti është qe Kosova, duke ratifikuar marrëveshjen, ta sigurojë ndërkombëtarizimin e kufirit të vet veriperëndimor”, ka përfunduar Shkëlzen Maliqi.

Ndërsa thirrje për votimin e Demarkacionit bëjnë vazhdimisht ndërkombëtarët.

Apostolova ka përsëritur se kushti i demarkacionit dhe ai për luftën ndaj korrupsionit janë të rëndësisë së njëjtë për liberalizimin e vizave.

“S’ka kusht të parë apo të dytë. Kanë qenë 95 kushte, 93 janë përmbushur, dy kanë mbetur pa u plotësuar. Nuk do të guxoja të thosha se cili është më i rëndësishëm, meqë të dy janë njëlloj të rëndësishëm. Sepse nëse nuk përmbushen të dy kushtet, liberalizimi nuk mund t’u propozohet shteteve anëtare për vendim”, ka thënë shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Gjithashtu edhe Shefja e diplomacisë bullgare, Ekaterina Zaharijeva, ka deklaruar se ekzistojnë faktorë të jashtëm që kanë ndikim të fuqishëm në disa vende në Ballkanin Perëndimor.

Ajo ka nënvizuar se institucionet e Kosovës duhet të jenë të vetëdijshme për domosdoshmërinë e realizimit të reformave, sidomos në fushën e shtetit ligjor, si dhe për kushtet që duhet t’i plotësojnë.

“Një prej këtyre kushteve është ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi”, tha Zaharijeva, e cila ka porositur se “BE-ja nuk do të pranojë më anëtare të reja ato vende që kanë problemet bilaterale të hapura ndërfqinjësore”.

Thirrje pë votimin e kësaj marrëveshje ndërkombëtare ka bërë edhe Ministrja e Integrimeve Evropiane. Dhurata Hoxha ka thënë se duhet të jetë në interes të të gjithë ve, një konsensus dhe në këtë formë të ratifikohet marrëveshja me Malin e Zi.

“Shtetësia e Kosovës forcohet me ratifikimin e demarkacionit” ka thënë Hoxha.

Ajo tha se kanë kaluar 2 vjet e gjysmë dhe në këtë formë, ky është ligj i vazhduar, që në këtë mënyrë të jetë si kusht edhe liberalizimi i vizave, por jo edhe të ndaloj pikërisht demarkacioni.

Mes tjerash tha se duhet të ketë presion edhe nga qytetarët që sa më shpejt të ndodh liberalizimi i  vizave.

“Nuk ka ditë që nuk pranoj kërkesa pikërisht nga qytetarët, qoftë edhe për liberalizim, për humanitet e shumë çka tjetër”, shtoi ajo.

Ajo bëri thirrje që demarkacioni të kaloi sa më shpejt e sidomos në 3 mujorin e parë të vitit 2018.

Mirëpo kjo temë nuk e ka përkrahjen e Kryeministrit të Kosovës.

Haradinaj thotë se Qeveria nuk ka më punë në trajtimin e këtyre çështjeve, ndërsa u shpreh i habitur se pse demarkacioni nuk është votuar pro ose kundër në Kuvend.

“Janë disa tema që i kemi detyra të shtëpisë ato që i ka kompetencë ekzekutivi. Janë disa tema që involvohen edhe akterë të jashtëm. Pjesën e Qeverisë si për njërën temë ashtu edhe për tjetrën ne e kem kryer. Unë habitem pse Parlamenti ende nuk e ka votuar, qeveria nuk ka çka bën më shumë, e kemi çuar raportin, e ka Parlamenti. Le ta votojnë e jo me gjete argumente që me e çua deri në pakufi. 2 vite e gjysmë LDK-ja këtë çështje e ka pasur në sirtar, e tash nuk po e votojnë”, tha Haradinaj.

Demarkacioni vazhdon të mbetet një prej çështjeve më të rëndësishme në vend, që kërkon zgjidhje të shpejtë.

Këtë gjë e kanë deklaruar disa herë edhe ambasadorët e vendeve më të fuqishme, duke kërkuar që demarkacioni të kalojë sa më shpejtë, që pastaj të hapet rruga e liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë