Kosova ende pa asnjë helikopter

helikopteriEdhe pas 15 viteve institucionet e vendit nuk kanë arritur të ngritin së paku një njësit të helikopterëve qoftë brenda FSK-së apo MPB për intervenime në raste emergjente.

Për ironi brenda institucioneve të ndryshme ekzistojnë departamente të kërkim shpëtimit, departamente të emergjencës, por u mungojnë helikopterët që do të përdoreshin për menaxhimin e situatave emergjente.

Edhe pse kjo çështje është ngritur disa herë vetëm pas incidenteve si në rastin e shpërthimit vitin e kaluar në KEK, rasti i Restelicës apo bllokimi i policëve në veri vite më parë, të mos flasim për rastet emergjente të pacientëve ku jeta e tyre varet nga sekondat, deri më tani asnjë hap nuk është ndërmarrë nga institucionet e Kosovës përveç disa nismave që janë lënë në gjysmë të rrugës.

Sipas njohësve, Kosova ka nevojë për pajisje me helikopter në kuadër të FSK, pasi që ekziston njësiti me formacion brigade për intervenime në raste emergjente, por fatkeqësisht kjo brigadë nuk posedon staf nga fusha e aviacionit në mënyrë që kjo brigadë të ketë edhe njësitin e helikopterëve me staf adekuat profesional, apo në kuadër të MPB-së e që kishte qenë nevoja shumë e madhe për raste emergjente dhe raste të fushave tjera që Kosova sot ka nevojë shumë të madhe.

Derisa në shumë vende, objektet e mëdha me rëndësi, sikurse spitalet, komplekset shtetërore, ndërtesat e larta apo edhe hotelet luksoze kanë helioporte, në Kosovë mungojnë heliodromet.

Inxhinieri i aviacionit, Ismet Maliqi, majtas
Inxhinieri i aviacionit, Ismet Maliqi, majtas

Inxhinieri i aviacionit, Ismet Maliqi, konsideron se Kosova ka nevojë të pajiset me helikopter të nivelit të lehtë dhe të mesëm për të cilën 16 vite më parë është bërë një plan për formimin e një njësiti në kuadër të TMK-se tani FSK-së, por që nuk është jetësuar.

“Asokohe kemi bërë planin për njësitin e helikopterëve për raste emergjente por fatkeqësisht ky njësit që kishte 50 pjesëtarë, ku shumica ishin me profesion adekuat por që u shua viteve 2005 dhe të gjithë u dërguan në pension të parakohshëm”, tha Maliqi.

Si pjesëtar i atij grupi, Maliqi e konsideron të nevojshëm ngritjen e 27 heliodromeve, shumica të cilave do të duhej të ishin në secilën qendër rajonale të mjekësisë.

“Kosova ka nevojë që të ketë njësi të helikopterëve të rangut të lehtë dhe të mesëm gjatë shfaqjes eventuale të ndonjë aksidenti të rëndë qoftë teknologjike, ortekë të borës apo aksidente në autostrada dhe të ketë pika të caktuara të heliodromeve”, thotë ai.

Aktualisht ne QKU në Prishtinë, ka një helioport por që nuk përmbushë kushtet e nevojshme për aterrim dhe ngritje për shkak te neglizhencës nga ana e tyre – baza jo e përshtatshme dhe pa sinjalizime.

Maliqi thotë se në bazë të një plani të mëhershëm që e kishin përgatitur, kanë identifikuar 27 pika të heliodromeve në të gjitha rajonet e vendit që janë më se të domosdoshme për nevojat e qytetarëve të Kosovës.

Në këtë plan janë përfshirë edhe gjiganti termoenergjetik KEK, Feronikeli, minierat ku janë caktuar lokacionet për ndërtimin dhe rregullimin e helioporteve, në raste të aksidenteve QKUK-ja dhe të gjithë qendrat rajonale shëndetësore.

Sipas tij, ka pasur resurse profesionale për ngritjen e një njësie fillimisht prej dy deri tre helikopterëve.

“Ngritja e një njësie brenda secilit institucion, është e nevojshme për të asistuar përveç nevojave tjera, si në shuarje zjarri edhe në raste emergjente kur janë në pyetje njerëzit sidomos në qendrat rajonale të mjekësisë që nuk kanë kapacitete për menaxhimin e situatave emergjente”, tha ai.

Për mirëmbajtjen e heliodromeve dhe njësitin e helikopterëve Kosova ka pasur resurse njerëzore. Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për menaxhimin e njësisë fluturuese, pasi që ka inxhinierë të aviacionit, pilotë, teknikë, inxhinierë të sistemit të radarëve, por edhe stafin tjetër gjegjës për çështjen e aviacionit.

Maliqi thotë se mbi dhjetëra persona kanë qenë me kualifikime përkatëse nga teknikë e deri në pilot për udhëheqjen e njësitit, por që të gjitha janë shpërndarë.

“Fatkeqësisht jemi duke humbur resurset të cilat kanë një kosto të lartë të shkollimit dhe përvojës. Ky kuadër ka qenë në numër prej 127 vetash, nga teknikët deri te piloti të cilët tani janë të shpartalluar”.

Mos formimi i kësaj njësie shumë vite më parë sipas tij, ka krijuar një vakum shumë të madh sepse shumica e kuadrove kanë dalë jashtë binarëve dhe jashtë hapit teknologjik duke luftuar për bukën e gojës.

“Fatkeqësisht disa pilotë sot kryejnë punë tjera dhe nuk u është krijuar hapësirë të transmetojnë dijeninë e tyre për kuadro të reja”, thotë ai.

Përderisa çdo vend i rajonit ka ruajtur kuadrot, në Kosovë ndodhë e kundërta.

Për ta arsimuar një pilot të helikopterëve duhet së paku katër vjet duke shtuar këtu dhe eksperiencën, sepse nëse nuk ka përvojë të mjaftueshme është shumë vështirë t’i besohet menaxhimi i fluturakes për nevoja te tilla kështu qe kuadrot e deritanishme kanë pasur përvoja mbi 15 vjeçare ne mënyre permanente qe kanë mundur te fluturojnë por fatkeqësisht nuk u brengos askush deri me tani, e mos te flasim ne fluturimet ne kushte te ndërlikuara klimatike se si mund te intervenohet me kur mungon eksperienca dhe përvoja.

Maliqi konsideron që për ngritjen e një njësie me helikopter duhet një plan për 20 vitet e ardhshme.

“Njësia nuk duhet të ngritët me helikopter në formë donacioni që është i demoduar, sepse ai helikopter më shumë do të qëndroj në tokë se në ajër. Kështu që duhet një analizë më strategjike të përllogaritjes që 20 vitet të ardhshme të kenë dy deri tre fluturake ta rangjeve të tilla, por duhet pasur edhe një fluturake të rangut më të lehtë në të cilin do të mbaheshin trajnime permanente në mënyrë që të mos ketë nevojë të bëhen shpenzime me helikopter të mëdhenj”, tha ai.

Maliqi konsideron se institucionet e larta duhet ta marrin më me seriozitet çështjen e ruajtjes së resurseve profesionale dhe zhvillimin e infrastrukturës së heliodromeve.

Do të ishte mirë që të formohet një grup prej se paku 7 vetave ne mënyrë qe te krijojnë një strategji gjithë përfshirëse me përvoja dhe te behet plani për organizimin dhe përllogaritjen e kostos se kësaj njësie te domosdoshme për vendin tone.

Nëse marrim parasysh koston e blerjes së veturave për nevojat zyrtare dhe shpenzimeve nga krye kuvendarët komunal dhe stafet e tyre nga Juniku e deri te Kamenica dhe nga Elez Hani e deri te Leposaviqi, ne deri më tani i kishim pasur të paktën 3 deri 5 helikopterë me staf të aftë dhe infrastrukturë te zhvilluar të heliodromeve, por fatkeqësisht neve asnjëherë nuk na u mundësua kjo ëndërr e jona që të realizohej në interes të të gjithë banorëve të vendit tonë.

“Mos të harrohet se licencat e pilotëve duhet tu vazhdohen çdo vit, sepse asnjë pilot nuk guxon të pauzojë dhe brenda vitit është e paraparë së paku të fluturojë 15 orë. Konsideroj se ne kemi humbur kohë e cila nuk mund të rikthehet, a vullneti i ynë që nga 1999 ishte që ne hap pas hapi të fillojmë edhe me ngritjen e shkollimit të kuadrove në kooperim me institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe Sllovenisë tha ai. /KI/