Konjufca: Ndalimi i Kurtit u bë sikur ndalimet e dikurshme të shqiptarëve nga Serbia

konjufca qaushiKryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca në një konferencë shtypi sot shpjegoi rrethanat e arrestimit dhe të ndalimit të mbrëmshëm të deputeti të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës Albin Kurti nga Policia e vendit.

“Qeveria, duke përgatitur procese të tilla të montuara si ai i mbrëmshëm kontribuon në rritjen e tensioneve. Një gjë e tillë nuk ndodh në një vend demokratik, por vetëm në një qeveri si ajo e Putinit, në të cilën policia është e instrumentalizuar, tha Konjufca duke shtuar se Qeveria dëshiron që përmes këtyre veprimeve të frikësojë popullatën, por efekti do të jetë i kundërt, pasi kjo qeveri është e destinuar që të dështojë”.

“Nuk ka pasur vendim e kërkesë prokurori për marrjen e Albin Kurtit në polici. Marrja ka qenë thjesht një arrestim informativ, sikur arrestimet informative që Serbia i bënte ndaj shqiptarëve në vitet e 80 të shekullit të shkuar”, tha Konjufca.

Ne do të vazhdojmë te bllokojmë punën e Kuvendit, tha pastaj Konjufca duke përmendur kundërshtimet që partia Vetëvendosje ia bën krijimit të AKS-së, Zajednicës, siç e quan ajo, dhe Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, transmeton Koha.net.

Konjufca hodhi poshtë deklarimet e kryeministrit Mustafa se nënshkrimet në marrëveshjet ndërkombëtare nuk mund të anulohen. Ai për këtë shembull e mori marrëveshjen detare të nënshkruar ndërmjet Shqipërisë e Greqisë e cila sipas tij është anuluar.

“Ne jemi të koordinuar dhe të vendosur që të mos lejojmë vazhdimin e seancave të Kuvendit, pasi Zajednica nuk duhet të kalojë. Kur populli vlerëson se një marrëveshje është e dëmshme, ajo edhe nëse është ndërkombëtare mund të anulohet”.

“Protesta është brenda suazave të ligjit. Ashpërsia e protestuesve ka buruar nga sjellja e papranueshme e policisë”.

Format e protestës mund të shqyrtohen. Në shoqërinë tonë ka dy lloj njerëzish: Ata që e dinë që marrëveshjet janë të dëmshme dhe kjo është aq shqetësuese sa që mjetet që do të zgjidhen për të protestuar duhet të jenë të mjaftueshme të ndalin Zajdnicën. Kurse pjesa tjetër është që e dinë se janë të dëmshme, por thonë se s’kanë çfarë të bëjnë që t’i ndalin ato, dhe opozita është në radhën e parë.

Protestat e mbrëmshme Konjufca i quajti të ligjshme, ndërsa për përshkallëzimin e tyre në dhunë e fajësoi policinë e cila, sipas, tij përdori mjete dhe forcë joproporcionale.

Kurse edhe nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi komentoi ngjarjet e fundit, duke thënë se është koha e argumentimit të dëmeve nga këto marrëveshje.

“Ne jemi të vendosur që t’i kundërshtojmë këto marrëveshje deri në fund, dhe mendojmë që çdo mundësi tjetër është shteruar. Ne kemi argumentuar mjaftueshëm deri tani dhe besojmë që ka kaluar koha e argumentimit për dëmet nga këto marrëveshje, nuk kemi dëgjuar nga askush asnjë argument serioz në mbrojtje të këtyre marrëveshjeve”, tha Çaushi.

E vetmja mundësi reale në këtë situatë është që qeveria të tërhiqet nga këto marrëveshje ose të bie bashkë më to.