Konjufca: Ky Aasociacion nuk po i pëlqen askujt

glauk konjufcaShefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca e ka quajtur gabim koalicionin me LDK-në e Isa Mustafës për gjashtë muaj sa bashkë po provonin të pengonin qeverisjen e PDK-së e Hashim Thaçit.

“Edhe Vetëvendosje ka gabimet e veta. Por, ne donim që të pengonim këtë që ndodhi. Nuk kemi folur kurrë për poste politike, por kemi dashur që ta marrim nën udhëheqje dialogun. Më besoni se kjo që ka ndodhur nuk do të ndodhte”, ka thënë Konjufca në “Interkativ” të KTV-së.

Ai ka thënë se këta njerëz, që vulosën marrëveshjet, kanë probleme me legjitimitetin e tyre personal.

“Njëri po u jep familjarëve të vet tenderë, e tjetri është si emër në që mund të gjykohet në Gjykatë Speciale. Nuk po mund të besoj ende se si kjo mund të bëhet me nënshkrimin e disa shqiptarëve. Serbia e ka bërë atë, por çfarë pritet prej nesh, ta bëjmë të kundërtën, t’ia kthejmë kundër këtë iniciativë që është serbizimi i Kosovës. Por, ata e bëjnë të kundërtën e kësaj, e vënë nënshkrimin”, ka thënë Konjufca, transmeton koha.net.

Ai ka thënë se puna me Asociacionin është akoma më keq se sa me kompetenca ekzekutive.

“Konturat e kësaj ‘Zajednice’ janë filluar më herët. Kur u krijua marrëveshja për drejtësi, kur u nda linja buxhetore me buxhetin e kaluar vetëm për veriun e Ksovoës. Me gjitha këto veprime është krijuar korniza me të cilat do të krijohet kjo bashkësi e Komunave Serbe”, ka thënë Konjufca.

“Cilat do të jenë specifikat e saj. Ka aty një kontroll të plotë në arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik, por, çka është më e tmerrshme ky asociacion do të funksionoj si një entitet i marrëdhënieve ndërkombëtare. Do ta ketë presidentin e vet, që do ta përfaqësojë vendin”, ka shtuar ai.

Konjufca ka shprehur edhe një pyetje hipotetike.

“Për shembull a mund ta ndalë shteti jonë nëse Asociacioni i Komunave Serbe të lidh një marrëveshje me Asociacionin e Komunave të Rusisë. Këtu po bashkohen krejt njerëzit që janë kundër Kosovës”.

Konjufca e ka bërë të mundur që edhe ish-ministri i Qeverisë së Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq të jetë emri i presidentit të këtij asociacioni.

“Do të bëjmë të gjitha përpjekjet kjo të mos ndodh. Prej asociacionit do të jemi rob të Serbisë. Do të jemi në njëfarë nënshtrimi të vazhdueshëm me ta. Mendojmë që duhet një mobilizim i përgjithshëm qytetar. Po vërej që ky asociacion s’po i pëlqen askujt”, ka thënë Konjufca.

Ai ka thënë se duhet mobilizim qytetar për ta rrëzuar Qeverinë.

“Në protestë ne nuk do të shkojmë që policia kur të na thotë kthehuni në shtëpi, ne të kthehemi. Ne do të vazhdojmë deri në fund. Ideja më e përafërt e të çuarit deri në fund është rrëzimi i kësaj Qeverie”, ka thënë Konjufca.