Konjufca: Kur kundërshtonim Specialen na tërhiqnit zvarrë, PDK-ja tash po na fton ta kundërshtojmë

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës po i fton deputetët që të kundërshtojnë EULEX-in dhe Gjykatën Speciale, kundërshtimin të cilin e kishte bërë vjet më parë VV-ja, por sipas Konjufcës, këta deputetë tërhiqeshin zvarrë.

“Deputetët e PDK-së folën për EULEX-in, dhe kur Vetëvendosje kundërshtonte EULEXIN dhe ftonte të kundërshtonte një mision, tash po ata [PDK-ja] po na ftojnë me ju bashku betejës së tre kundër EULEX-it dhe Gjykatës Speciale. A është kjo partia që tentonte të na nxirrte jashtë sepse kundërshtonim këtë gjykatë? Ndërsa tash na ftojnë që ta kundërshtojmë. Tash kur po e shohin stuhinë e kësaj Gjykata, janë në gjendje që ta kallin Kosovën, por ne nuk marrim pjesë në këtë kundërshtim”, ka thënë Konjufca.

Konjufca gjatë fjalimit të tij ka folur edhe për dënimin e aktivistëve të Vetëvendosjes për sulm ndaj objektit të Kuvendit.

“Gjyqtari Beqir Kalludra ka nisur epokën e dënimit pa prova. Kur ka qenë puna e kriminelëve, siç është rasti me Emin Beqirin, provat zhduken, dhoma e provave vidhet. Por kur është puna për Vetëvendosjen, provat shpiken dhe montohen”, ka thënë veç të tjerash Konjufca.