Komuna thotë gjitha rrugët janë të pastruara, realiteti në terren është tjetër

Komuna e Malishevës, nëpërmjet ueb faqes zyrtare, ka njoftuar se të gjitha rrugët kryesore të Malishevës me fshatrat e saj, janë të kalueshme. Gjendja më e vështirësuar është në fshatrat në Malet e Berishës, përkatësisht në Berishë. Gjendjen e rrugëve sot, e ka inspektuar edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili ka kërkuar angazhim të pandërprerë, në mënyrë që banorët e këtyre fshatrave, të mos kenë problem në lëvizjen e tyre.

Reshjet e mëdha të borës, erërat e fuqishme dhe temperaturat e ulëta, kanë bërë që në fshatrat e thella malore, të ketë bllokim të rrugëve, të cilat gjatë natës dhe mëngjesin e hershëm, janë hapur disa herë, sidomos në fshatrat Berishë dhe Fshat i Ri. Rrugët në këto vendbanime, sikur edhe në fshatrat tjerë që shtrihen përgjatë Maleve të Berishës, janë të hapura, por duhet kujdes i shtuar gjatë vozitjes.

Megjithatë qytetarë të shumtë kanë vazhduar të na shkruajnë për vështirësitë në qarkullim në disa fshatra, kryesisht në ato malore, e ku deri me tani ende kompania për pastrimin e rrugëve nuk e ka bërë punën e saj.