Komuna rifillon punimet në ndërtimin e memorialit në varrezat e dëshmorëve në Malishevë

Sot, kanë rifilluar punimet në ndërtimin e memorialit në varrezat e dëshmorëve në Malishevë, përkatësisht të dëshmorëve të Brigadës 122 “Imer Krasniqi”. Në ceremoninë fillimit të këtyre punimeve mori pjesë, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kryetari i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu dhe zyrtarë të tjerë.

Ky memorial, ndërtohet në kuadër të rregullimit dhe ndërtimit të memorialit dhe sheshit në këtë hapësirë, nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.

Punimet e filluar kohë më parë, ishin ndërprerë për shkak të reagimit të OVL-së së UÇK-së, dega në Malishevë e cila nuk ishte fare e njoftuar lidhur me projektin për ndërtimin e këtij memoriali. Po ashtu, për shkak të mënyrës se si kishin filluar punimet pa kriteret bazë të një projekti kaq të rëndësishëm kishte reagime të shumta.