Komuna peruron dy shkolla për 28 nëntor

Kuvendi KomunalNë kuadër të shënimit të festës së 28 Nëntorit, Komuna e Malishevës, planifikon të mbajë një varg aktivitetesh kulturore, sportive, si dhe pritet të bëhen edhe disa përurime, e në mesin e përurimeve, planifikohet të përurohen edhe dy shkolla të reja. Kështu u tha sot në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, të drejtuar nga Kryetari i Komunës, z.Ragip Begaj.

Bazuar në raportet e drejtorëve të drejtorive, gjatë këtij fund muaji, pritet të përurohen shkollat në fshatrat Shkozë dhe Carrallukë, ndërsa janë planifikuar edhe shumë aktivitete tjera, si mbledhja e Kuvendit të Komunës, pastaj aktivitetet kulturore dhe  sportive.

Sa i përket fushës së investimeve, u tha se kjo ishte një javë e mirë, pasi janë realizuar disa projekte, ndërsa kanë filluar të realizohen edhe një varg projektesh tjera, kryesisht dy vjeçare, e në mesin e tyre edhe hapja e rrugës për njërën lagje të Carrallukës, që e lidhë këtë lagje me qendrën komunale, përderisa ishte edhe një kërkesë e kahershme e banorëve të kësaj lagjeje.

Sa i përket shëndetësisë, u bë e ditur se janë duke u zhvilluar vizitat sistematike, shëndetësore, nëpër shkollat e Komunës së Malishevës, nga ana e QKMF-së, ku deri më tani, këto vizita kanë përfunduar në 22 shkolla.