Komuna investon 24 mijë euro në aparaturat e QKMF-së

Begaj-ne-QKFMNë kuadër të përpjekjeve të Komunës së Malishevës, për ofrimin e shërbimeve më të mira shëndetësore për qytetarët e saj dhe të krijimit të kushteve më të mira për punë, Komuna ka investuar në blerjen e aparaturës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr.Shpëtim  Robaj” në Malishevë, si dhe është duke u investuar në ulëset për pacient në korridorin e qendrës kryesore shëndetësore në Malishevë.

Këto investime në QKMF të Malishevës, i kanë parë nga afër edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, z.Ragip Begaj dhe drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, z.Hajdin Berisha, ku janë njoftuar me këtë aparaturë dhe me kushtet në përgjithësi në QKMF.

Begaj dhe Berisha, i kanë uruar menaxhmentin dhe punëtorët shëndetësor të QKMF-së për këto pajisje, të cilat i ndihmojnë punëtorët në kryerjen e detyrave të tyre dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për pacientët në nevojë.

Nga ana tjetër edhe drejtori i QKMF-së, z.Besim Zogaj, e ka falënderuar komunën për këto investime, shumë të rëndësishme, pasi tani pacientët, shumë analiza dhe kontrolle tjera mjekësore, do ti kryejnë brenda QKMF-së, pa pasur nevojë të shkojnë në qendra tjera spitalore, pasi këto pajisje janë moderne dhe kryejnë shumë shërbime.

Përndryshe, me këto pajisje të cilat kapin një shumë në mbi njëzetekatër mijë euro, QKMF e Malishevës, është pajisur me një defribilator, analizator bio-kimik dhe një aparat modern i ultrazërit me ngjyra.

Drejtori komunal për shëndetësisë, z.Hajdin Berisha, tha se “përveç kësaj aparature, jemi duke rregulluar edhe ambientet e pritjes së pacientëve, ku po ndërrohen ulëset në korridorin e QKMF-së, në mënyrë që të gjithë ata pacient, apo përcjellës të tyre, ti ndihen rehat gjatë vizitave të tyre në qendrat mjekësore”. Po ashtu Berisha tha se “investimet në fushën e shëndetësisë, do të vazhdojnë, pasi Komuna e Malishevës, është komuna që më së largu i ka qendrat spitalore, prandaj është shumë e nevojshme që të ofrohen sa më shumë shërbime mjekësore në QKMF”.