Komuna fillon përgaditjet për festën e 28 Nëntorit

KK Malishevë-NdërtesaShumë projekte janë në realizimin e sipër, disa drejt përfundimit e disa tjera dy vjeçare kanë filluar, në të gjitha fushat e investimeve në projekte kapitale. Kështu u tha sot, nga ana e drejtorëve të drejtorive komunale, në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, me kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Në mbledhjen e sotme, u bë e ditur se kanë filluar përgatitjet për shënimin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, ku pritet të organizohen aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive, si dhe vizita të ndryshme në vendet e caktuara, me peshë historike në historinë e popullit shqiptar.

Gjatë javës që lamë pas kanë përfunduar disa projekte infrastrukturore, kryesisht rrugë, por nuk kanë munguar as projekte tjera në infrastrukturë të përgjithshme, si në atë shkollore, pastaj kanalizime, dhe të tjera, ndërsa këtë javë pritet të bëhet zgjerimi dhe hapja e një rruge në fshatin Lladroc.

Po ashtu gjatë kësaj jave, pritet të realizohen edhe disa projekte në fushën e bujqësisë, përkatësisht disa investime të komunës, në mjete konkretizuese për bujqit, përkatësisht fermerët nga Komuna e Malishevës.

Ndërsa në fushën e shëndetësisë, u bë e ditur se po vazhdojnë vizitat sistematike, në shkollat e Komunës së Malishevës dhe ky projekt, është duke u realizuar me sukses.