Komuna e Malishevës me dy verzione të buxhetit

KK Malishevë-NdërtesaKomiteti për Politikë dhe Financa (KPF), organ i Kuvendit të Komunës së Malishevës, i drejtuar nga kryesuesi, z.Aziz Thaçi, ka mbajtur sot mbledhjen e nëntë të radhës për këtë vit, ku janë trajtuar një varg çështjesh, si dhe janë dhënë disa rekomandime për shqyrtim në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit të Komunës, në mesin e të cilave, edhe projekt buxheti komunal 2016-2018.

Projekt buxhetin e Komunës së Malishevës, 2016-2018, para anëtarëve të KPF-së, e ka prezantuar drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, z.Vesel Krasniqi, i cili edhe i ka sqaruar se pesë linja buxhetore, janë të prera nga ana e Ministrisë së Financave, për cilat, siç tha drejtori Krasniqi, “nuk jemi pajtuar, pasi e dëmtojnë seriozisht buxhetin komunal, prandaj ne si drejtori i kemi përgatitur dy versione të projekt buxhetit, njërin sipas kufijve të caktuara nga ministria, ndërsa tjetrin sipas nevojave të Komunës së Malishevës dhe të dy versionet do të dërgohen në Kuvend të Komunës dhe në Ministrinë për Financa”.

Ndërsa për investimet kapitale, Krasniqi, i ka sqaruar anëtarët e KPF-së, me organizimet e debateve publike, takime me liderët e fshatrave dhe format tjera të debatit publik, përmes së cilave janë nxjerrë edhe prioritetet për investimet kapitale për vitin 2016.

Përveç projekt buxhetit, KPF ka rekomanduar për mbledhjen e ardhshme të KK-së edhe projekt rregulloren për tatimin mbi pronën e paluajtshme për vitin 2016, pastaj ka shqyrtuar edhe raportin e DKAE për përfundimin e vitit shkollor 2014/15 dhe përgatitjet për fillimin e vitit shkollor 2015/16.

KPF ka shqyrtuar edhe raportin vjetor të punës për vitin 2014, raporti financiar Janar-Dhjetor 2014, dhe plani operativ 2015/2016  i K.R.M  “Ekoregjioni” Prizren, njësia operative në Malishevë, pastaj raportin vjetor të punës për vitin 2014, planifikimi për vitin 2015 i K.R.U “ Hidroregjioni Jugor” SH.A Prizren, njësia operative në Malishevë dhe raportin financiar për vitin 2014, si dhe raporti financiar pesë mujor për vitin 2015, i Stacionit të Autobusëve në Malishevë.