Komuna e Malishevës arsyeton shpenzimet për mëditje

komuna

Komuna e Malishevës ka reaguar me një sqarim publik lidhur me lajmin që ka postuar dje MalishevaPress për  shpenzimet e larta që Komuna ka harxhuar për mëditje vitin e kaluar, nga ku dhe raporti i Auditorit të Përgjithshëm e ka renditur në mesin e komunave me shpenzime më të mëdha.

Më poshtë e keni sqarimin që ka dhënë komuna lidhur me këtë:

Sqarim lidhur me shkrimin “MALISHEVA NDËR KOMUNAT MË TË VARFRA, POR ME MËDITJET MË TË LARTA KOMUNALE NË KOSOVË”

Malishevë, 7 shtator
Sot, portali “Malishevapress”, ka botuar një shkrim me titullin “MALISHEVA NDËR KOMUNAT MË TË VARFRA, POR ME MËDITJET MË TË LARTA KOMUNALE NË KOSOVË”, siç thuhet, duke u bazuar në raportin e Auditorit të Përgjithshëm, dhe ku i referohet shpenzimeve nga kategoria ekonomike paga dhe mëditje, mirëpo, këtu nuk specifikohet arsyeshmëria, pasi këto shpenzime janë krijuar si pasojë e komiteteve dhe komisioneve të shumta të formuara nga Asambleja Komunale.

Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit, sqarojmë se ato shpenzime janë bërë, si rezultat i komisioneve dhe komiteteve të shumta të krijuara nga Asambleja Komunale e Malishevës, të cilat është dashur të paguhen me mëditje për punën e tyre, që kanë kryer anëtarët e këtyre organeve, pasi nuk ka kod tjetër ekonomik në buxhet, për kryerjen e këtyre pagesave.

Këto sqarime janë dhënë para anëtarëve të Kuvendit të Komunës, gjatë raportimit të shpenzimit të buxhetit komunal për vitin 2015, si dhe janë të paraqitura në të gjitha raportet e shpenzimit të buxhetit.

Po ashtu, ju bëjmë me dije, se kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori për Buxhet dhe Financa, Vesel Krasniqi, në shumë raste e kanë paraqitur këtë problem, pasi Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka krijuar shumë komitete dhe komisione të ndryshme, jo obligative dhe rrjedhimisht janë krijuar edhe shpenzime, ndërsa kodi i vetëm ekonomi, përmes së cilit mund të paguhen anëtarët e këtyre komisioneve, është kodi për paga dhe mëditje.