Komisioni paralajmëron fakte befasuese për demarkacionin

Anëtarë të Komisionit për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi kanë bërë të ditur se tashmë janë në finalizim të raportit me të gjeturat e tyre, të cilin më pas pritet ta publikojë  Qeveria e Kosovës.

Florim Isufi, anëtar i këtij Komisioni, ka thënë për gazetën “Zëri” se gjatë punës së tyre kanë arritur të sigurojnë informacione të reja dhe siç ka thënë ai befasuese, por pa dhënë detaje se për çfarë befasish bëhet fjalë.

“Kemi marrë elemente të reja, të cilat do t’i shfaqim në raport dhe me siguri që Qeveria do ta publikojë. Ka gjëra të reja, të mos them befasuese”, është shprehur Isufi për “Zërin”, duke shtuar se Komisioni do t’i paraqesë të gjeturat si dëshmi për të treguar nëse vija kufitare me Malin e Zi është vendosur mirë, apo jo.

Ndërsa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se hapat e mëtejshëm që lidhen me këtë marrëveshje do të vendosen tek pasi Komisioni i Ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi do ta dorëzojë raportin final.

“Komisioni për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror pritet që së shpejti ta dorëzojë raportin me gjetjet e tij dhe pas kësaj do të ndërmerren hapa konkretë”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të Qeverisë së Kosovës.

Sipas ekzekutivit të vendit, nëse nuk gjendet zgjidhja kjo marrëveshje mund të përfundojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ndonëse për një gjë të tillë duhet edhe aprovimi i palës malazeze.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike kanë vlerësuar se demarkacioni nuk mund të shkojë në Arbitrazh po që se këtë opsion nuk e pranon Mali i Zi.