Kodra në rrugën Kaçanik-Hani i Elezit rrezikon të shembet (Foto)

Kodra afër vendit ku dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës kishin renë me automjetin e tyre në lumin Lepenc, rrezikon të shembet.

Aktualisht ka vetëm lëvizje të tokës të cilat kanë bërë që zyrtarët kompetentë të dalin në vendin e ngjarjes dhe të shohin nga afër situatën.

Dheu e gurët mund të bllokojnë aksin Kaçanik-Hani i Elezit.

Në vendin e ngjarjes aktualisht ndodhet edhe zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Rexhep Kadriu.

Ai thotë se brenda ditës pritet të dilet me rekomandime për situatën e krijuar, saktësisht deri në ora 16:00 do të merret vendimi se a do të bllokohet tërësisht kjo anë e territorit apo jo.

“Me rëndësi është që duhet të veprojmë për sigurinë e qytetarëve”, ka thënë Kadriu.

Gjithashtu ai ka shtuar se ka lëvizje të tokës, por që shembja ende nuk ka ndodhur.

Ndërkohë burime të Indeksonline bëjnë të ditur se gjendja nuk është e mirë në këtë anë të Kaçanikut.

Në afërsi të kësaj pjese përfunduan në lumin Lepenc dy pjesëtarët e policisë, ku trupi i njërit prej tyre u gjet të enjten e kaluar përderisa kërkimet për pjesëtarin tjetër të policisë, Armend Trena po vazhdojnë edhe sot, në javën e dytë të kërkimeve./Indeksonline/