Koalicioni në kërkim të votës së fundit për demarkacionin

Koalicioni është në kërkim të votës së fundit për ta arritur minimumin e kërkuar (80 vota) për ta ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, shkruan sot Koha Ditore.

Kryeministri Ramush Haradinaj tani llogarit edhe në votën e Donika Kadaj-Bujupit, e cila vendosi të rikthehet në partinë e vjetër.

Por grupi i deputetëve të pavarur nuk ka dhënë sinjal se do të ndryshojë qëndrim rreth demarkacionit.

Shefi i tyre, Dardan Sejdiu, ka thënë se kjo është një nga pikat për të cilën kanë pajtim me subjektin e deritashëm.

“Ne kemi kundërshtuar këtë demarkacion tre vjet. Dokumenti i sjellë është fatkeqësisht edhe më problematik. Në një anë kërkohet të votohet ligji, në anën tjetër ka aneks dokumente që thonë se ka probleme ky ligj”, ka thënë Sejdiu pas mbledhjes së Kryesisë, në të cilën u zyrtarizua ky grup. Ai ka shtuar se, fillimisht duhet kërkuar përgjegjësi prej atyre që e kanë nënshkruar marrëveshjen në vitin 2015, dhe pastaj të ndërmerren veprimet e tjera.