Kjo është “rruga e përbashkët” për demarkacionin që Kurti po i propozon Haradinajt

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje i ka nisur një letër të gjatë kryeministrit Ramush Haradinaj, ku shpjegon mospajtimet e tij lidhur me votimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Megjithatë Kurti ka ofruar një propozim në pesë pika për tejkalimin e mospajtimeve. Siç dihet Lëvizja e Kurtit bashkë me AAk-në e kryeministrit Haradinaj atëherë në opozitë kishin kundërshtuar fort marrëveshjen e Komisionit të Murat Mehës për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, që sipas tyre i falte 8200 hektarë shtetit fqinj.

Me ardhjen në pushtet të Haradinajt, ishte themeluar një komision me përbërje të re në krye me profesorin Shpejtim Bulliqi, i cili kishte nxjerrë një raport të ri dhe thërret për korrigjim, derisa është arritur edhe një deklaratë e përbashkët e dy presidentëve, atij kosovar Hashim Thaçit dhe atij malazez Filip Vujanoviq që lë mundësinë për korrigjim, por vetëm pas ratifikimit në Kuvendin e Kosovës.

Derisa Haradinaj ka bërë thirrje për votimin e projektligjit pas zhvillimeve të reja, për liderin e opozitës Albin Kurtin kjo është e pamjaftueshme. Për këtë ai jep edhe udhëzimet si duhet të dilet nga kjo situatë.
Kjo është pjesa e letrës ku Kurti flet për propozimin e tij:
I nderuari kryeministër Haradinaj,

Le ta ndjekim bashkë një udhë tjetër e cila do t’i përmbante këta hapa:
1) Debat parlamentar për raportin e Komisionit Bulliqi, aq më tepër që marrëveshja e 26 gushtit 2015 pat shkelur Rezolutën e Kuvendit të 25 qershorit 2015;
2) Të nxjerrim një Deklaratë të Kuvendit të Kosovës për fqinjësi të mirë me Malin e Zi dhe me kërkesë për rishqyrtim të marrëveshjes;
3) Përmes kontakteve të drejtpërdrejta diplomatike t’i kumtoni mospajtueshmërinë Malit të Zi me metodologjinë e përcaktimit të kufirit dhe të filloni iniciativën e re për një proces të ri të demarkimit.
4) Hetim parlamentar për marrëveshjen, gjithë rrjedhën, rolin dhe përgjegjësinë e faktorëve të involvuar në këtë proces.
5) Konferencë ndërkombëtare lidhur me procesin e përkufizimit (delimitimit) dhe shënjimit (demarkacionit) të kufirit në Kosovë, regjion e më gjerë, si rast për shpalosjen e gjithë të vërtetës.

Tashmë i kemi dy zhvillime pozitive: pranimi implicit i gabimit nga Presidenti Thaçi dhe pranimi implicit nga Mali i Zi për bisedime të reja. Këto duhen mirëpërdorur për zhvillime të reja, jo për t’i vulosur ato të vjetrat.

Përfundimisht, le ta bëjmë njëherë korrigjimin me Komision të përbashkët – le të quhet edhe TPP (Trup i Përbashkët Punues) – pastaj ratifikimin. Ndërkohë, e plotësojmë kriterin për luftimin e korrupsionit e krimit. Në fund, të dy kriteret i plotësojnë përafërsisht në të njëjtën kohë dhe fitojmë liberalizimin e vizave.

Duke shpresuar në vëmendjen tuaj, pranoni përshëndetjet tona të sinqerta.

Me nderime,
Albin Kurti
Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Deputet i Kuvendit të Republikës